Lajmi i fundit

Opozita kërkon që në seancë të diskutohet për “Trepçën” e Policinë, VV-ja kundër

Partitë opozitare kanë kërkuar që në rend dite të futet një Rezolutë ku Kuvendi i Kosovës, do të diskutojë për gjendjen në ndërmarrjen “Trepça”.

Propozimin e ka bërë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se gjendja e rënduar në këtë ndërmarrje duhet të kërkojë vëmendje institucionale, raporton Ekonomia Online.

Me këtë propozim u pajtua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, tha se kërkesat e tyre të plotësohen dhe t’u dalin pagat minatorëve.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që krahas minatorëve të diskutohet edhe për zyrtarët policor.

“GP i AAK e mbështet dhe është urgjente të trajtohet çështja e minatorëve dhe është e rëndësishme të trajtohen me urgjencë edhe çështja e policisë. Nëse vazhdon ky zinxhir i këtyre protestave, atëherë do të jetë shumë problem”.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dalë kundër këtij propozimi, duke thënë se seanca duhet të vazhdojë me rendin e ditës.