Opozita kërkon dorëheqje të udhëheqësve të disa dikastereve pas rastit të vrasjes së 35-vjeçares

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka kërkuar dorëheqje morale nga ushtruesit e detyrës së udhëheqësve të dikastereve të shëndetësisë pas rastit tragjik të mbrëmshëm ku në derën e Klinikës së Gjinekologjisë është vrarë mbrëmë një 35-vjeçare shtatzënë.

Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku është paraparë të shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2023, Zemaj tha se dorëheqje do të duhej të kishte edhe për rastin ku një fëmijë është abuzuar psikikisht nga një logoped.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se kur e dëgjojnë këtë shqyrtim është sikur në dëshirore.

“Nuk ka strategji. Kemi shumë probleme të identifikuara që fare nuk përmenden. I përshëndes iniciativat e reja por hajde ti funksionalizojmë këto shërbime që i kemi, shembull çështja e “stroke center” 5 orë në ditë funksionon. Kjo nuk është e çuditshme kur jemi pa ministër të shëndetësisë dhe është qartë se shëndetësia nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie”, tha Dreshaj. /KP/