Marrëveshja

Opozita e ndarë për marrëveshjen me Danimarkën për burgjet

Marrëveshja me Danimarkën për marrjen në shfrytëzim të hapësirave të burgut në Gjilan do të jetë sërish nesër në rend dite për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard gjatë kësaj jave është takuar edhe me partitë opozitare, ku ka kërkuar miratimin e kësaj marrëveshjeje. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, nga kjo parti thonë se nuk do të marrin pjesë fare në votim.

Dallime ka edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku jo të gjithë deputetët e përkrahin këtë marrëveshje. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë këtë dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Partia në pushtet konsideron se në rast se kjo marrëveshje nuk gjen mbështetje nga partitë opozitare, do të lëndohen raportet bilaterale me shtetin danez.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur për KosovaPress se në seancën e 15 shkurtit, do të jetë pikë e rendit të ditës votimi i marrëveshjes me Danimarkën.

“Ministria e Drejtësisë bën të ditur se në seancën e ardhshme të 15 shkurtit 2024, [marrëveshja me Danimarkën] do të diskutohet në Kuvendin e Republikës ku edhe pritet të marrë votat e nevojshme nga deputetët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi thotë se partitë opozitare nuk kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes, megjithatë konsideron se kjo ka të bëjë me inatet politike.

“Situata politike në Kosovë po ndikon në ratifikimin edhe të kësaj marrëveshje ndërkombëtare, sikurse edhe të disa marrëveshjeve tjera ndërkombëtare që janë në pritje. Për fat të keq, sidomos Grupi Parlamentar i PDK-së, ka vendosur që të mos votojë asgjë në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë po mbetet peng. Unë uroj që takimi i përfaqësuesve të Grupit Parlamentar me ministrin danez të Drejtësisë do t’i bëjë që të reflektojnë dhe ta votojnë këtë marrëveshje. Sepse në të kundërtën i lëndojmë raportet bilaterale dhe strategjike me partnerin tonë që është Mbretëria daneze në këtë rast”, thotë Rrustemi.

Megjithatë, ai shpreson se në seancën e nesërme të ratifikohet marrëveshja me Danimarkën. Në të kundërtën, siç thotë Rrustemi, Kosova nuk del palë serioze përballë shtetit danez.

Edhe pas takimit me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës , Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në votimin e kësaj marrëveshjeje. Deputetja Blerta Deliu-Kodra thotë se temë kyçe e takimit me ministrin ka qenë marrëveshja për burgun e Gjilanit.

“Partia Demokratike e Kosovës tashmë disa herë e ka qartësuar pozicionin e saj sa i përket mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne kemi thënë që nuk do të votojmë asnjë marrëveshje përderisa nuk ka një dakordësi, ose marrëveshje për zgjedhje të reja. Në rast se do të ketë një dakordim të shumicës dhe forcave tjera politike në kuvend për një datë për të caktuar për zgjedhje, ne do t’i votojmë marrëveshjet, në të kundërtën ne nuk do të mbështesim asnjë marrëveshje ndërkombëtare të kësaj qeverie…Të njëjtin qëndrim e kemi përsëritur edhe dje, ja kemi thënë ministrit danez të drejtësisë se ne nuk do të bëhemi pjesë e votimit, për shkak se kemi një qëndrim tashmë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, shprehet deputetja e PDK-së.

Në votim do të marrin pjesë, por deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë unik sa i përket kësaj marrëveshje.

Deputeti Driton Selmanaj deklaron për KosovaPress se disa deputetë kanë dilemat e tyre sa i përket kësaj marrëveshje.

“Brenda LDK-së është diskutuar gjatë çështja e kësaj marrëveshje, më duhet të them që nuk ka unanimitet të plotë, të them një vendimmarrje unanime të Grupit Parlamentar të LDK-së që të ketë një mbështetje të plotë për shkak të dallimeve që ka brenda grupit për disa arsye. Njëra nga to është që nëse kjo marrëveshje nuk cenon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Sepse kanë dilema deputetët për cështjen se si do të organizohet burgu i Gjilanit, se si do të lidhet me vizitat e familjarëve që mund t’i bëjnë ndaj atyre të burgosurve eventualë që do të sillen nga Danimarka këtu. E shumë arsye të tjera. Prandaj, si LDK në parim ne e kemi mbështetur edhe herën e kaluar, por nuk ka unanimitet dhe ka dallime brenda grupit për qëndrimin se si do të artikulohet me votë”, thekson Selmanaj për KosovaPress.

Tutje, shprehet se kjo marrëveshje ka avancuar dhe parlamenti danez e ka përkrahur me votë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se do të votojnë këtë dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Do të votojë edhe këtë marrëveshje ndërkombëtare. Kemi qenë të informuar kësaj radhe edhe prej ministrit, por edhe më herët për përmbajtjen. I ka disa elemente të cilat lidhen me të drejtat e njeriut, me mekanizma të cilat duhet të forcojnë kontrollin, mirëpo kemi qenë të siguruar nga ministri danez që kjo marrëveshje është në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve por edhe të ndërtimit të marrëdhënieve për të mbështetur Kosovën edhe në fusha të tjera. Ajo që duhet të thuhet për Danimarkën si shtet, është ndër themelueset e aleancës së NATO-s, është vend anëtar e NATO-s edhe si e tillë ne kemi nevojë për mbështetjen e këtij shteti në rrugëtimin tonë, sidomos në atë euroatlantik”, përfundon Tahiri.

Kjo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin danez në vitin 2022. Ndërkaq, Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

VIDEO BONUS: Flet pronari i shtëpisë që ia ngriti përmendoren Albin Kurtit në Peran të Podujevës. Sabahudin Uka