Pas ndërprerjes së seancës së jashtëzakonshme ku po diskutoheshin pakot e ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane, deputeti i LDK-së, Arben Gashi kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për këtë seancë e ka konsideruar shkelje kushtetuese.

Sipas tij, veprimet e pahijshme të Qeverisë po e dëmtojnë punën e Kuvendit dhe interesin e Kosovës.
Gashi ka komentuar takimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

“Pozitiv apo negativ unë nuk po jap vlerësim, çështja është se është në detyrat e kushtetuese të presidentit, të kryeministrit, të ministrit të Jashtëm, që të përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë dhe në këtë hapësirë mendoj se është në rregull, por nëse është biseduar për korrigjimin e kufijve, atëherë është problem”, ka thënë ai.

Jo kushtetuese seancën e thirrur nga kryeministri e ka konsideruar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo u shpreh se brenda Kuvendit të Kosovës po bëhen keqpërdorime dhe lojëra të vazhdueshme.

Haxhiu ka komentuar edhe njëherë takimin e presidentit Thaçi me atë të Rusisë, Vladimir Putin, duke thënë se Thaçi po mundohet të krijojë marrëdhënie të reja me Serbinë dhe Rusinë./KosovaPress/