Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK kanë kritikuar marrëveshjen e arritur me 4 shtator në Uashington.

Përkundër se kjo i bashkon kundër qeverisë Hoti, prapëseprapë këto dy parti opozitare nuk komunikojnë si duhet mes vete dhe tregojnë se janë krejtësisht të çakorduara për të bërë opozitarizëm.

Këtë e tregon më së miri thirrja e një seance të jashtëzakonshme për të raportuar kryeministri Avdullah Hoti në Kuvend për marrëveshjen ekonomike të arritur në Uashington.

Ndërsa PDK e Kadri Veselit sot përmes një kumtese tha se do të thërret seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar transparencë për arritjen e marrëveshjes.

“Me qëllim të transparencës më të madhe dhe dhënies së llogarisë para Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, PDK do të kërkoj seancë të jashtëzakonshme në ditët e ardhshme. Ftojmë të gjitha partitë politike t’i bashkohen kësaj iniciative të domosdoshme”, tha PDK përmes një kumtese.

Por pak orë më pas, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, bëri të ditur se përmes nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci se veç ka kërkuar thirrjen në raportim të Avdullah Hotit për marrëveshjen, shkruan Reporteri.net.

VV thotë se më 4 shtator, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe delegacioni që shoqëronte atë bëri zotime për koncesione ndaj Serbisë për çështje dhe tema që prekin drejtpërdrejt sovranitetin shtetëror dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, dhe se këto zotime si vullnet personal, i konfirmoi me nënshkrimin e tij në fund.

“Përkundër deklarimeve të vazhdueshme në Kuvend e jashtë tij të vetë z. Hoti, se platformë e dialogut me Serbinë është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk kemi nevojë për platformë tjetër, kurse mini-shengenin e konsideronte të dëmshëm për Kosovën dhe që i shërben vetëm Serbisë, ajo çfarë pamë më 4 shtator, ishin zotime e koncesione krejtësisht të kundërta me deklarimet e mëparshme e në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e dëm të interesave të Kosovës”.

“Ajo çfarë u quajt normalizim ekonomik, më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës. Nga përfshirja e Serbisë në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë. Ndërsa, mini-shengeni mundëson hegjemonin ekonomike e tregtare të Serbisë si një ide dhe synim i saj, në një kohë që as nuk e njeh shtetin e Kosovës, e deri tek zotimi antikushtetues për heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që në fakt është heqje dorë nga shtetësia dhe nga kërkesa për njohje kolektive të shtetit të Kosovës. Për më tepër mundësimi i daljes në detin Adriatik, duke i vënë infrastrukturën shtetërore të Kosovës në dispozicion të Serbisë dhe kushtëzimi i turpshëm i çështjes së personave të zhdukur e bëjnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj si dhe në kundërshtim me Kushtetutën”.

“Gjithashtu vazhdimi i dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror sa në njërin takim, sa në tjetrin, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë”, thotë VV.