Opozita dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzuan kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me “dështimet e koalicionit qeverisës, të cilat kulmuan me mosliberalizim të vizave”.

Dy grupet parlamentare nga radhët e opozitës konsiderojnë se këto dështime kanë krijuar mungesë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe kanë lëkundur besimin e partnerëve tanë ndërkombëtar në Kosovë.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë. Tensionet e krijuara gjatë gjithë këtij mandati qeverisës e kanë pamundësuar debatin substancial në shoqërinë e Kosovës për arsim e shëndetësi më të mirë, për shërbime publike më efikase, për punësim dhe zhvillim ekonomik.

Seanca e  jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje është kërkuar të mbahet sot në orën 16.00.