Opozita djathtiste serbe: Vuçiq të dorëhiqet, plani që e pranoi e njeh Kosovën shtet

Deputetët e katër partive parlamentare të krahut të djathtë – Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë – i kërkuan sot presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të japë dorëheqjen brenda pak ditësh sepse ai ka pranuar plani franko-gjerman për çështjen e Kosovës.

Ata në konferencën për media në Kuvendin e Serbisë thanë se duhet të parandalohet rrëzimi i rendit kushtetues të Serbisë, tradhtia dhe kapitullimi, duke gjykuar se ky plan paraqet shkëputje dhe njohje të pavarësisë së Kosovës.

Serbisë i kërkohet të njohë pavarësinë e krahinës së saj jugore, tha kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq dhe tha se nuk do të lejohet dorëzimi i territorit të Serbisë.

Është turp që duhet të flasim për këtë dhe kjo marrëveshje është dashur që në fillim të refuzohet, tha ai dhe theksoi se tradhtia nuk po negociohet.