Operatorët e internetit shkelin urdhërin e ministrisë, ua ndërprejnë shërbimet qytetarëve

Përkundër urdhëresës së lëshuar sot nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike që urdhëron operatorët elektronikë që të mos i ndërprejnë shërbimet e tyre, dy operatorë nuk po e respektojnë një gjë të tillë.

Disa sinjalizues kanë thënë se “Ipko” dhe “Kujtesa” ua kanë ndërprerë shërbimet për shkak se ata nuk i kanë kryer obligimet ndaj operatorëve në fjalë.

Sipas tyre, ata nuk po mund t’i kryejnë këto pagesa pasiqë janë duke i respektuar masat e lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për të qëndruar të izoluar në shtëpitë e tyre.

“Na e kanë nalë internetin e kabllovikin, na nuk po mujmë me dalë me i pagu se na kanë thanë me nejt mbyllë në shtëpi. Qeveria na ka premtu se nuk kanë me u nalë këto shërbime”, tha njëri nga sinjalizuesit.

Ne kemi kontaktuar me operatorët në fjalë, por të njëjtit thanë se nuk kanë informacione për këtë urdhëresë të MEPTINIS-it.

Nga “Kujtesa” premtuan që do të respektojnë çfarëdo vendimi të qeverisë.

“Ndërprerjet janë bërë sot përshkak se klientët nuk i kanë kryer pagesat. Jo, nuk e kemi parë ende urdhëresen e qeverisë, do e shohim dhe ne do e aprovojmë ajo dhe nuk do t’u ndalet shërbimi”, thanë nga qendra e thirrjeve të Kujtesës.

Ndërsa, nga “Ipko” nuk premtuan asgjë pa e parë urdhëresën, pasi sipas punonjëses së këtij operatori po të kishte një vendim të tillë, ministria në fjalë do të dërgonte një njoftim ose komunikatë, gjë të cilën, sipas saj, ky operator nuk e ka pranuar akoma.

Urdhëresa e cila i urdhëron operatorët e shërbimeve elektornike dhe të internetit të sigurojnë qasje të pandërprerë në shërbimet elekronike u lëshua sot nga Ministria E Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike