Mesfushori nga Bregu i Fildishtë

Olympiacos i shkëput kontratën Yaya Toures pas vetëm 3 muajve

Ish mesfushori i Barcelonës dhe Manchester Cityt, Yaya Toure është larguar nga klubi grek, Olympiacos pas vetëm tre muajve të kaluar në Athinë.

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka dështuar të bind trajnerin Pedro Martins në 5 ndeshjet që është aktivizuar këtë sezon, në periudhën e tij të dytë te Olympiacosi.

35 vjeçari i dha fund aventurës te Manchester City majin e kaluar, ndërsa në shtator nënshkruajti kontratë me 44 herë kampionët e Greqisë.

Toure ka fituar disa trofe të rëndësishëm gjatë karrierës së tij, ndërsa numëron 3 Premier League me Manchester Cityn dhe 1 Champions League me Barcelonën.

Gjithashtu, Toure ka fituar Kupën e Afrikës, kurse është shpallur katër herë rresht lojtari më i mirë afrikan nga viti 2011-2014.

Yaya Toure ishte futbollisti i preferuar i tifozëve të Cityt, por në periudhën e fundit kishte disa probleme me trajnerin Pep Guardiola që e detyruan të largohej nga “Etihad”.