Olti Curri: Reagimet e artistëve kundër Bregoviç janë për vëmendje dhe klikime

Së fundmi personazhet e njohur dhe rrjeti janë ngritur kundër ardhjes së Goran Bregovič për Festën e Birrës në Korçë. Të gjithë shprehen të revoltuar, pasi thonë se ai ka qenë palë me serbët dhe këngët e tij janë kënduar në luftën e Kosovës.

Pas kësaj ka reaguar edhe blogeri Olti Curri. Ai ka postuar disa foto nga lajmet e portaleve dhe përbri shkruan:

“Te them dy fjalë meqë të shumtë ma keni kërkuar, ndjej detyrim si shqiptar që dhimbja e luftës për liri e Kosovës të mos përdoret si temë debati banal nga ato që as te Përputhen nuk i has. Ndaj këtë diskutim e hap dhe e mbyll me kaq.
Goran Bregovič ka kënduar që në vitin 2006 ne Shqiperi në mes te Tiranes te Pallati i Kongreseve me sallen plot. Edi Rama kryetari i bashkisë i asaj kohe i dorëzoi “Çelesin e qytetit” në shenjë nderimi.
Këta artistë që sot u zgjuan patriote (me moshë mestare 35-40 vjeç) ku gjendeshin para 15 viteve (qe i bie te ishin 20-25 vjeç)! Apo mësuan shkrim e këndim pas të 30-tave!
Goran Bregovič si fillim është boshnjak (eshte e shkruar kudo që të kërkosh) dhe sa për Kallashnikovin edhe ai është rus, një armë e krijuar në Rusi nga një ushtarak rus. Patriotizmi fillon nga dija. Ndaj më pare informohemi pastaj sulmojmë.
Sa për artistët patriotë mendoj se do ishin të besueshëm që këtë kauzë po e ngrene nga atdhedashuria dhe jo per klikime dhe vemendje në momentin kur mos të kopjojne këngë dhe ritme serbe në studiot e tyre muzikore, kur në kenget e tyre të mos i kendojnë dhunës, lekëve të droges dhe armëve sepse kallashnikovi eshte vrastar si ta perdorë një serb ashtu edhe një shqiptar.
Do ishin te besueshëm artistët patriotet nëse klipet e tyre do i ben veshur me bluza me fytyrën e Ismail Qemalit, apo Adem Jasharit dhe jo me logo Gucci & Fendi. Kur klipet e tyre ti benin te Muzeu i Skënderbeut në Krujë, të shtëpia e Lidhjes së Prizrenit apo në Ballkonin e Pavarësise në Vlore dhe jo sipër jahteve dhe vilave me pishina. Do ishin të besueshëm po të organizonin koncerte falas për çdo feste kombëtare në Kosovë e Shqipëri.
Patriotizmi është si frymemarrja, e ke pjesë të jetës kudo dhe kurdoherë, jo kur je keq me klikime dhe në Ditën e Pavarësise kur këndon Xhamadani vija vija…”