OKB: Në Serbi mbi 400 punëtorë nga Vietnami mbahen si skllevër, pa kushte elementare për jetë

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin se shteti serb është duke i keqtrajtuar dhe abuzuar 400 punëtorë nga Vietnami.

Përmes një hetimi që ka kryer kjo organizatë, kërkohet që të mbrohen këta 400 punëtorë kryesisht vietnamezë, që janë trafikuar në Serbi, thanë ekspertët e OKB-së.

Tetë kompani, duke përfshirë agjencitë vietnameze të rekrutimit të punës dhe firmat kineze të ndërtimit të regjistruara në Serbi, thuhet se janë përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, duke u lejuar nga shteti serb, që shkalla e abuzimit të jetë shqetësuese.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar se këta punëtorë migrantë mund të jenë trafikuar për qëllime të punës së detyruar dhe kanë jetuar dhe punuar në kushte të tmerrshme në Serbi, në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre”, thanë ekspertët e OKB-së në  një deklaratë.

Gjithashtu shqetësuese është fakti se këta punëtorë është tentuar të ndihmohen nga Shoqëria Civile në Serbi, por që janë penguar nga shteti që t’i monitorojnë kushtet e tyre dhe t’iu ofrohet ndihmë.

Ekspertët i kërkuan qeverive të Serbisë, Vietnamit dhe Kinës që të sigurojnë që bizneset me bazë në territorin e tyre, ose që veprojnë nën juridiksionin e tyre, të respektojnë të drejtat e njeriut të të gjithë punëtorëve.

“Kjo përfshin jo vetëm bizneset që mbështeten te puna e emigrantëve, por edhe agjencitë e rekrutimit të fuqisë punëtore”, thanë ekspertët e OKB-së.

Rregullimi dhe monitorimi i agjencive të rekrutimit të punës është gjithashtu thelbësor për të parandaluar efektivisht trafikimin për qëllime të punës së detyruar, thuhet në raportin e kësaj organizate.

Këta punëtorë sipas raporteve nuk kanë qasje në drejtësi dhe mjete tjera juridike për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Po ashtu jetojnë në kushte çnjerëzore, pa ujë të pijshëm, pa pasur një vend ku të bëjnë banjo dhe ushqehen keq. Po ashtu këta punëtorë kanë mbetur peng të kthimit të tyre në shtëpi, pasi kompanitë ku ata punojnë ua kanë konfiskuar pasaportat dhe shteti serb është duke heshtur karshi këtij skandali.

Tetë ekspertët e të drejtave të njeriut që lëshuan deklaratën janë të mandatuar nga  Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i vendosur në Gjenevë.

Ata monitorojnë dhe raportojnë për çështje specifike me interes global, të cilat përfshijnë trafikimin e personave, format bashkëkohore të skllavërisë, të drejtat e njeriut të migrantëve dhe zbatimin e parimeve të OKB-së për biznesin dhe të drejtat e njeriut. /Ballkani.info/