OJQ-të duan hetime për veprime të mundshme kriminale në procesin e noterëve

Organizatat e shoqërisë civile mirëpresim reagimet ndërkombëtare rreth procesit të përzgjedhjes së noterëve të rinj, të udhëhequr nga ministri në largim i drejtësisë Abelard Tahiri.

Në një deklaratë të përbashkët, Çohu, Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, thonë se pas disa reagimeve të shoqërisë civile, javën e kaluar një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare ishin shumë të qarta në thirrjet e tyre ndaj Ministrit në largim, Abelard Tahiri për të mos emëruar noterët që dalin nga procesi i fundit i përzgjedhjes.

“Fillimisht reaguan Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe Oda Federale e Noterëve të Gjermanisë, ndërsa sot erdhi edhe thirrja eksplicite e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe reagimi i ambasadorit gjerman në Kosovë z. Heldt”, thuhet në reagim.

Lexo edhe: Tahiri s’e përfill kërkesën e BE-së për noterët, vlerëson se procesi është legjitim dhe duhet të ndodhë

Këto organizata, thonë se duke qenë të shqetësuar nga deklaratat e Ministrit në largim të drejtësisë Abelard Tahiri që përkundër të gjithave planifikon të përmbyllë këtë proces, ne përsërisim kërkesat tona që:

1. Ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë;

2. Ministri i ri i drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve;

3. Policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

loading…