OIK hapë shpalljet për Kongresin Ndërkombëtar Infermieror

Pjesmarrësit e Kongresit të parë Ndërkombëtar të Infermierëve do të përfitojnë nga 20 pikë për pjesmarrje me prezantim, dhe 15 pikë për pjesmarrje, të vlefshme për procesin e ri-licencimit, që është akredituar nga Këshilli për Edukim të Vazhdueshëm Profesional i OIK-ut.

Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIK) ka hapur tashmë thirrjet për Kongresin e parë ndërkombëtar të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë të Ballkanit, që do të mbahet në Prishtinë në javën e parë të muajit maj të këtij viti.
Kongresi organizohet në bashkëpunim me Odat, Universitetet dhe Shoqatat e Infermierëve nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Sllovenia, Kroacia dhe Turqia.

“Kongresi i I-rë Ndërkombëtar i Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë të Shëndetit të Ballkanit – KNIPShB është një kongres profesional ndërkombëtar që mbulon rolin, rëndësinë dhe sfidat e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë të shëndetit gjatë periudhës pandemike Covid-19, dhe sfida të tjera me interes për profesionistët e shëndetësor”, ka thënë Naser Rrustemaj, kryetar i OIK-ut dhe President i Kongresit.

Ndërkohë, Xhemajl Dugolli, sekretar i Kongresit, ka thënë se derisa bota është përqendruar në pandeminë COVID-19, roli i infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në këtë kohë duhet vlerësuar shumë duke pasur parasysh sfidat e shumta në të cilat po kalojnë komuniteti infermieror.

“Infermierët janë në qendër të përpjekjeve për të parandaluar dhe menaxhuar pandeminë COVID-19 me kontributin e tyre jetësor në betejën për shëndetin dhe mirëqenien e popullates në të gjithë botën, prandaj ky kongres do të trajtojë çështje me interes për rolin e tyre”, ka shtuar Dugolli.

Në këtë kongres, sipas Dugollit, janë ftuar të paraqesin punime të plota apo abstrakte në gjuhën angleze pjestarë të komunitetit infermieror përgjatë gjithë rajonit. “Punimet duhet të jenë origjinale dhe nuk duhet të jenë botuar më pare”, ka shtuar Dugolli, derisa kongresi do të organizohet në platformë online.

Afati i fundit për aplikim për prezantim në kongres Kongres është 20 prilli i këtij viti dhe pjesmarrësit e këtij kongresi do të përfitojnë nga 20 pikë për pjesmarrje me prezantim, dhe 15 pikë për pjesmarrje, të vlefshme për procesin e ri-licencimit, pasë parasysh faktin se ky kongres është akredituar nga Këshilli për Edukim të Vazhdueshëm Profesional i OIK-ut.