Oda Ekonomike Shqiptare përmes një komunikate për media ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për nivelin e lartë të kulturës demokratike dhe përgjegjësinë qytetare të treguar në zgjedhjet e së dielës.

OESH i ka uruar fitoren Lëvizjes Vetëvendosjes dhe liderit të saj Albin Kurti. Kjo Ode i ka dëshiruar sukses dhe punë të mbarë Kurtit në ushtrimin e mandatit të ri si kryeministër, duke shtuar se këtë e sheh si shërbim të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së kosovarëve.

OESH po ashtu ka përgëzuar të gjithë spektrin politik për respektimin me dinjitet të vullnetit të qytetarëve.

“Oda Ekonomike Shqiptare mbetet e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe institucional në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit rajonal”, thuhet në fund të komunikatës.