Oda e Hotelerisë kërkon lejimin e dasmave

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme ka kundërshtuar masat e miratuara të martën nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Odës, Hysen Sogojeva tha se nuk janë konsultuar nga Qeveria për masat e reja që kanë hy në fuqi.

Ai më tej tha se po kërkojnë zgjatjen e orarit të punës deri në ora 01:00 si dhe lejimin e mbajtjes së ahengjeve, duke shtuar se ata marrin përgjegjësi nëse ndodh të ketë shtim të numrit të rasteve.

Sogojeva thotë se ende nuk ka filluar shpërndarja e mjeteve të premtuara nga Qeveria dhe sa ka shumë biznese që gati dy vjet nuk kanë punuar.

“Si rezultat i masave që janë marrë ditën e djeshme pa dëshirë tonë kemi qenë të obliguar ta mbajmë këtë konferencë. Ne kemi pasur edhe kuvendin e Odës dhe kanë lindur kërkesat janë zgjatja e afatit të TVSh”.

“Pritet që mbas 1 janarit të ndryshohet. Ne kërkojmë zgjatje 5 vjet të TVSh. Prej 420 milionë ende nuk ka filluar ndarja. Kërkohet që mbulim i qirasë të jetë sipas Ligjit për rimëkëmbje. Ka biznese që 600 ditë nuk kanë punuar. Me vendimin e mbrëmshme që ka marrë Qeveria shkresat që i kemi dërguar me shkrim nuk janë marrë parasysh”.

Sipas tij, ora policore është e pakuptimtë dhe se kundër këtyre masave mund të ketë edhe protesta.

“Asnjë vendim nuk është i mirë nëse nuk konsultohet me Odën dhe bizneset. Kërkojmë zgjatjen e orarit të jetë deri në ora 01:00. Ora policore është e pakuptimtë. Të fillojnë organizimet e ahengjeve dhe ne mbajmë përgjegjësinë. Asnjë vendim që merret pa u konsultuar për ne është i njëanshëm. Mund të ketë edhe protesta”.

Këngëtari Afrim Muçiqi, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë t’i rishikojnë edhe njëherë masat.

Sipas tij, vazhdimisht janë shkelur nga ana e Qeverisë duke mos u marrë për bazë kërkesat e tyre.

“Ky vendim i mbrëmshëm është i papranueshëm për ne. Jemi zotuar se do t’i marrim të gjitha përgjegjësitë ku çdo pronar nuk do të lërë asnjë person pa vaksinë brenda. Ne u tradhtuam nga ai takim”.

“Është rebelim i atyre që përfaqësojmë. I bëjmë thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë ta rishikojë edhe njëherë këtë vendim. Ne nuk jemi kundër masave mirëpo jo në këtë formë të anashkalojnë sepse është shkelje e bizneseve”.

“Ne zotohemi që të gjitha përgjegjësitë ne do t’i pranojmë. Na than se nuk na lejohet edhe ne ta kryejmë punën do të shkojmë në një padëgjueshmëri sepse është boll dhe e stërëtepruar”./EO