Nasuf Hasani

Oda e Avokatëve thotë se avokati i Albulena Haxhiut e ka kanosur prokurorin disiplinor, reagon Nasuf Hasani: “Ai është njeri i korruptum”

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se prokurori disiplinor i kësaj Ode, Rexhep Veseli, është kanosur përmes e-mailit nga kryetari i degës rajonale në Prishtinë, avokati Nasuf Hasani.

“Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Rexhep Veseli, me tu paraqitur sot në punë, ka kuptuar se në e-mailin e tij zyrtar ka arritur një e-mail (në ora 01:14 min pas mesnatës) nga avokat Nasuf Hasani, i cili mban pozitën e Kryetarit të Degës Regjionale në Prishtinë, përmes së cilës është kanosur dhe se kjo e-mail ka përmbajtje kërcënuese serioze”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Oda e Avokatëve bëri ka të ditur se kanosja ka të bëjë me punën dhe detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, dënon ashpër kërcënimet dhe kanosjet e kryetarit të Degës së Prishtinës, në drejtim të Prokurorit Disiplinor dhe se veprime të tilla janë të pa pranueshme e që dëmtojnë prestigjin e avokatit dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, Rasti është lajmëruar në Policinë e Kosovës nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, andaj Oda e Avokatëve të Kosovës, kërkon nga organet kompetente ta trajtojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat konform ligjit”, thuhet në njoftim.

Avokati Hasani tha se nuk është e vërtetë që e ka kanosur Veselin, duke shtuar se ai është njeri i korruptuar.

“Jo mor çfarë, ai është njeri i korruptun asht ai, ai është domethënë një njeri majmun është ai”, tha Hasani për “Betimi për Drejtësi”, duke shtuar se është duke shkuar në Polici lidhur me rastin.

Gjithashtu, Hasani tha se Veseli është shkelësi më i madh, se atij i është rritur paga, se ishte shpallur jokompetent në shkeljet që sipas Hasanit kryetari i Odës, Behar Ejupi i bën dhe se sipas të njëjtit, ai nuk e meriton të jetë pjesë e Odës.

Ndërkaq, vetë Veseli tha se nuk dëshiron të flasë lidhur me këtë rast, por vetëm ka konfirmuar njoftimin që Oda e Avokatëve ka bërë.

“Nuk po du me fol, jam palë në procedurë, po është i vërtetë”, tha Veseli.

Kurse, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tha se nuk kanë ende informacion lidhur me rastin në fjalë.

Nasuf Hasani wshtw avokat i ministres sw Drejtwsisw, Albulena Haxhiu.

Kujtojmë se, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati autorizuar për avokat Hasanin, që të ngrejë padi ndaj avokatit Besnik Berisha, pasi e quajti prokurorin e rastit “Brezovica”, Rasim Malokun “këlysh të pushtetit” dhe tha se u arrestua me urdhër të ministres Haxhiu.

Avokati Hasani, i cili është edhe kryetar i OAK-së në degën e Prishtinës, përpara disa javësh u gjobit për shkelje të etikës nga ky institucion. /Ballkani.info/