Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka kritikuar praktikën e punësimit në Kosovë, e cila bëhet përmes nepotizmit, lidhjeve farefisnore apo politike.
Me këtë rast, ai ka thënë se pjesa dërrmuese e punësimeve bëhet për t’i rehatuar njerëzit nëpër pozita të caktuar.
“Punësimi bëhet për ta rehatuar dikë prej partisë ose për ta instaluar dikë dhe për ta përdorur këtë njeri në interes të partisë ose grupacionit, por jo në interes të shtetit. Kjo praktikë nuk është për të pasur njerëz më të mirë, por njerëz më të shantazhuar. Kemi parë që njerëz të kualifikuar nuk thirren, kurse njerëz të pakualifikuar promovohen”, deklaroi ai në diskutimin “Fol Hapur” që u mbajt gjatë ditës së sotme.
Sipas O’Connell Kosova duhet t’i dëgjojë miqtë ndërkombëtarë, por duhet të punojë edhe vetë për t’i rregulluar këto probleme të brendshme.
“Ne nuk kemi drejtë vote këtu, ne jemi vetëm miq të Kosovës dhe miq për interesa tona, e pranoj plotësisht. Askush nuk duhet ta besojë ambasadorin që pretendon se ai ose ajo e do më shumë Kosovën ose di më mirë, por duhet t’i dëgjoni miqtë e Kosovës që thonë se ka ardhur koha për t’u rregulluar këto gjëra, sepse s’kemi më durim për këto dukuri”, shtoi ai.
Nëse mbështetja ndërkombëtare humbet nga Kosova sipas ambasadorit britanik një gjë e tillë do të paraqiste problem serioz për shtetin e Kosovës.
“Kosova ka nevojë për përkrahjen e përditshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe nëse kjo humbet do të ishte problem jetik për Kosovën. Nuk dua të jem krejt pesimist sepse ka mundësi të merren vendime më të mira”, potencoi ai.
Megjithëkëtë, O’Connell tha se ka edhe momente të atilla gjatë së cilave janë marrë vendime të drejta prej palës kosovare.
“Dua të lavdëroj diçka, kryeministri ka marrë një vendim shumë i rëndësishëm. Organi Shqyrtues për Prokurim ka qenë shumë problematik në të kaluarën, krejt e dinë, që nëse një kompani e gabuar fiton tenderin mund të shkosh në OSHP për ta rihapur procesin derisa një kompani e duhur ta fitojë tenderin. Për herën e parë Qeveria e Kosovës, ka qenë vendim i kryeministrit, ka kërkuar që procesi i rekrutimit të jetë i hapur për bordin e OSHP-së, i hapur, transparent, sipas meritës, jo vetëm të merren disa emra të vendosen në kuvend. Nëse qytetarët kërkojnë ndryshime është e mundshme”, vazhdoi ai.
Ndryshimet janë të mundshme, presioni nga qytetarët është e vetmja mënyrë për ti detyruar politikanët të marrin masa, që transparenca është shumë e rëndësishme, që qasjen e shoqërisë civile në të dhënat është shumë e rëndësishme.
Ndërkohë, mosdënimi me burgim efektiv për korrupsion në rastet e larta sipas ambasadorit vazhdon të mbetet shqetësuese.
“Askush nuk është dënuar me dënim efektiv për korrupsion në rastet e mesme dhe të larta. Kjo më shqetëson. Më herët janë dënuar disa kryetarë serbë dhe kjo nuk tregon që serbët e Kosovës janë më të korruptuar se shqiptarët e Kosovës. Kjo tregon që serbët e Kosovës nuk kanë ku të ikin sikur shqiptarët”, shtoi ai.







