Ambasadori

O’Conell kritikon Ministrinë e Integrimeve për shpallje të konkursit të jashtëm

Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, e ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se Kosova ka për obligim që të bëjë rekrutimin e të rinjve të cilët janë aftësuar në kuadër të Skemës së Profesionistëve të Rinj.

Sipas tij, Kosova ka nevojë që administrata publike e saj të ketë stafin më profesional të mundshëm.

“Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) e financuar nga Bashkimi Evropian për vite me radhë i jep Kosovës mundësi të përfitojë nga talenti dhe aftësitë e rinisë së saj”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në kuadër të kësaj Skeme, Kosova ka obligim të mos bëjë rekrutime të jashtme në shërbimin civil pa akomoduar gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj.

Ai thotë se, vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtpërdrejt me vet zotimin e Kosovës.

“Stafi i Ministrisë së Integrimit Evropian që kundërshton këtë shkelje duhet të përgëzohet për guximin dhe përkushtimin ndaj ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare, dhe jo të ndëshkohet me vërejtje”, thotë tutje ai.

Ai ka shtuar se, Kosova ka nevojë për shërbyes të tillë civil që rreshtohen në anën e së drejtës përballë ndikimeve nga politika.

“Ata janë heronjtë e ditëve të sotme”, ka përfunduar O’Conell.

Kujtojmë se KTV ka raportuar se vendimi i Qeverisë i 10 tetorit 2012, saktëson obligimin e institucioneve për sistemimin dhe punësimin e bursistëve, në periudhë 3-vjeçare në Shërbimin civil.

Konkursi i jashtëm për pesë pozita është hapur më 27 korrik dhe është mbyllur më 6 gusht.

loading…