OAK: Të lirohen çerdhet dhe të hiqen kufizimet

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është shumë e shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe masat e ndërmarra nga Qeveria pa konsultim paraprak me bizneset, dhe kërkon që të hapen urgjent çerdhet dhe të heqet kufizimi që ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave për biznese dhe aktivitetet e bizneseve.

OAK konsideron se deri më tani kemi një dështim total të Qeverisë më mbështetje financiare për biznese, për mbulimin e pagave për punëtorë të sektorëve të mbyllur me vendim të Qeverisë dhe duke u ndaluar edhe dhënia e kredive të rregullta po e bënë të pamundur mbijetesën e qytetarëve dhe bizneseve, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe tek shteti.

Rënia e të hyrave është duke dërguar në katastrofë ekonomike vendin si pasojë e zhvillimit të politikave për vendin.

Kërkesat e vazhdueshme të bizneseve duket se janë duke hasur në vazhdimësi në vesh të shurdhër të institucioneve tona çoftë në Qeveri apo Parlament, duke mos u përkrahur as rishikimi i buxhetit me urgjencë apo edhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Andaj, ne kërkojmë me urgjencë të hiqen këto kufizime dhe para çdo vendimi për mbyllje të biznesit, duhët të merrë mbështetje financiare paraprakisht nga Qeveria biznesi dhe punëtorët e atij sektori.

Shteti duhet të ndalojë qasjen diskriminuese në mes të punësuarve në institucionet publike dhe atyre private, të cilët edhe pse 80 % e tyre nuk kanë punuar për shkakë të pandemisë kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin paga të plota ndërsa të punësuarit në sektorin privat as lëmoshën 170 euro për një muaj nga katër sa kanë kaluar ende nuk e kanë përfituar të gjithë.

Për dijeni të opinionit publik, 80% e të hyrave të shtetit sigurohen nga biznesi dhe punëtorët e e këtij sektori.

Ashtu siç e garanton edhe kushtetuta e vendit shteti duhet të jetë i barabartë më të gjithë.