OAK i ofron përkrahje Ministrit Murati

Ofrimi i përkrahjes dhe kontributit profesional, përkrahja dhe kontributi i përbashkët në finalizimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për pushimin e lehonisë, kërkesa për krijimin e arkës “PATRIOT”, ku çdo produkt vendor subvencionohet me 10 % ulje nga TVSH, harmonizimi i vendimeve që lëshohen nga ATK dhe Dogana e Kosovës lidhur me lirimin e lëndës së parë për prodhuesit, e informimi lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të OAK-së me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Nënkryetari i OAK Arsim Selmonmusaj e uroi Ministrin Murati për punën dhe u shpreh i hapur për ofrimin e bashkëpunimit dhe ndihmës së OAK-së në aspektet profesionale, duke përcjellë kështu rekomandime dhe propozime konkrete rreth problemeve të natyrave të ndryshme. Nënkryetari Selmonmusaj theksoi në veçanti lobimin për ndryshim-plotësimin e Ligjit të Punës dhe Pushimit të Lehonisë, si dy nga ligjet më esenciale.

Ndërsa, sekretari i OAK Diamant Elshani theksoi rëndësinë dhe kontributin që mund të japin nëse oda dhe sektori privat përfshihen në vendimmarrje duke qenë pjesë aktive e diskutimeve dhe grupeve punuese. Elshani, gjithashtu informoi ministrin për kontributin e përbashkët të OAK-së dhe OEMVP-së lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutua që tvsh-ja të paguhet brenda vendit në inkasim dhe jo në faturim, problemet e bizneseve me bankat komerciale, Kosova të bëhet pjesë e Ata Carnet, lirimi i plotë i lëndës së parë dhe pajisjeve për prodhim, rëndësia që koordinimi mes institucioneve dhe bizneseve të jetë kontinual në mënyrë që fuqia punëtore të jetë në përputhje me nevojat e tregut si dhe të aplikohet mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë dhe praktikës në mënyrë

që nxënësit të jenë sa më të përgatitur për tregun e punës, duke u bërë inkorporimi i shkollave profesionale dhe bizneseve.

Ministri Murati, duke falënderuar përfaqësuesit e OAK-së për ngritjen e këtyre temave dhe takimin, u shpreh i hapur për bashkëpunim, me qëllim që së bashku të evidentohen dhe tejkalohen sfidat të cilat hasen gjatë operimit të sektorit privat.