Izraeli pritet të nisë një sulm hakmarrës kundër Iranit “në 48 orët e ardhshme”.
Kështu ka bërë me dije e përditshmja amerikane, New York Times, teksa citon se ministri i Mbrojtjes i Izraelit, tha herët të dielën se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”, disa orë pasi Irani hapi një kapitull të ri të paqëndrueshëm në luftën e gjatë në hije të dy vendeve, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa shpërthyese në Izrael.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Mohammad Bagheri, tha nga ana tjetër se përgjigja e Ushtrisë iraniane ndaj një kundërsulmi të mundshëm izraelit do të ishte ” një gabim shumë më i madh”.
Autoritetet iraniane thanë gjithashtu se Izraeli nuk duhet të “bëjë një gabim tjetër”.
Komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Iraniane, Hossein Salami, ka thënë ndërkaq se sulmi ndaj Izraelit jo vetëm që ka qenë i suksesshëm, por edhe i ka tejkaluar pritshmëritë fillestare.
Kështu theksoi ai në një koment të shkurtër për lëshimin e qindra dronëve dhe raketave nga Irani drejt Izraelit gjatë natës mes 13 dhe 14 prillit.
Megjithatë, 99% e sulmeve u interceptuan, siç bëri me dije Daniel Hagari, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, përmes një fjale për mediat.
Nga ana tjetër, disa zyrtarë të lartë amerikanë janë të shqetësuar se Izraeli mund të bëjë diçka shpejt në përgjigje të sulmeve të Iranit, pa menduar për pasojat e mundshme më pas, kanë bërë me dije një zyrtar i lartë i administratës dhe një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Këto shqetësime burojnë pjesërisht nga pikëpamjet e administratës për qasjen që Izraeli ka marrë në luftën e tij kundër Hamasit, si dhe sulmin në Damask.
Presidenti Joe Biden ka shprehur privatisht shqetësimin se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përpiqet të tërheqë më thellë SHBA-të në një konflikt më të gjerë, sipas tre personave të njohur me komentet e tij.
Shtëpia e Bardhë beson se izraelitët nuk po kërkojnë një luftë më të gjerë ose një luftë të drejtpërdrejtë me Iranin, por zyrtarët amerikanë nuk mund të jenë të sigurt, tha zyrtari i lartë i administratës, për transmetuesin NBC.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur privatisht zhgënjimin me vendimin e Izraelit për të goditur ndërtesën konsullore iraniane në Siri.
“Unë nuk mendoj se ata kishin një strategji,” tha zyrtari i lartë i administratës. “Izraelitët nuk marrin gjithmonë vendimet më të mira strategjike.”
Udhëheqësit e lartë në Pentagon gjithashtu kanë shprehur privatisht zhgënjimin për kohën e sulmit në Damask, sipas zyrtarit të lartë të mbrojtjes, sepse ai kishte potencialin të ishte “katastrofikisht përshkallëzues”.







