Presidenti i Federatës palestineze të futbollit, Jibril Rajoub, ka dalë i pa suksesshëm në apelin e tij në CAS.

Rajoub kishte nxitur urrejtje kundër Lionel Messit, kur kombëtarja e Argjentinës po përgatitej për një ndeshje miqësore kundër Izraelit.

Ndeshja do të luhej në ‘Teddy Stadium’, në Jerusalem, fushë e ndërtuar në një vend që thuhet t’i ketë takuar palestinezëve, para shkatërrimit në 1948.

Para kësaj ndeshje, presidenti i federatës palestineze u kishte bërë thirrje të gjithëve të djegin fotografitë dhe fanellat e Messit, duke bërë thirrje që ai të mos shkonte në atë fushë.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve ndeshja miqësore ishte anuluar, dhe Rajoub ishte dënuar nga FIFA me 12 muaj mos aktivitet sportiv, si dhe 18 mijë euro.

Së fundmi ai kishte apeluar këtë vendim në CAS, por ky apel është hedhur poshtë.

Kështu, vendimi i marrë më 24 shtator të vitit 2018 qëndron akoma në fuqi.