Nxënësit me Covid19 në Prishtinë do të mbajnë mësim plotësues gjatë pushimit dimëror

Të gjithë nxënësit që kanë qenë të infektuar me Covid19 në komunën e Prishtinës do të mbajnë mësim shtesë në distancë gjatë pushimit dimëror.

Liridona Preniqi, zyrtare e lartë e arsimit të mesëm të ulët në këtë komunë, në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se kjo po bëhet për shkak të fillimit të mësimit me vonesë dhe t’i arrijnë rezultatet e planifikuara për këtë vit.

“Po, mësim plotësues do të mbajnë nxënësit që kanë qenë me Covid-19 dhe kanë pasur ngecje në mësime pasi që jemi të vetëdijshëm se mësimi ka filluar me vonesë dhe rezultatet e planifikuara nuk kanë pasur mundësi të arrihen nga të gjithë nxënësit, e sidomos nxënësit që kanë pasur ngecje qoftë për shkak të mungesave apo mos mundësisë së nxënies”, ka thënë ajo.

Sipas Preniqit, të gjithë mësimdhënësit do të analizojnë rezultatet e papërfunduara dhe do t’i vazhdojnë gjatë pushimit dimëror.

Preniqi tha se do të organizojnë takime online me nxënësit për t’i angazhuar me detyra shtesë.

“Të gjithë mësimdhënësit në aktive profesionale do te ulen në fund të periudhës dhe do të analizojnë rezultatet të cilat kanë mbetur pa u realizuar plotësisht dhe do te bëhet një planifikim se si te arrihen këto rezultate, përmes cilit material  mësimor.

Pas dhënies së këtyre materialeve mësimore për nxënësit, do të organizojnë takime online me nxënësit për të parë arritjet e tyre dhe për të dhënë detyra shtesë për ta.

Mësimi online – plotësues është obligativ për të gjithë mësimdhënësit dhe është edhe në interesin e mësimdhënësve duke pasur parasysh pengesat të cilat kanë pasur për shkak të pandemisë”, tha ajo.