Nxënësit e Shkollës “Emin Duraku” akuzojnë arsimtaren e Historisë për dhunë

Nxënësit e Shkollës “Emin Duraku”, pretendojnë se janë kërcënuar nga arsimtarja e Historisë A.M, e cila sipas tyre ka përdorur edhe dhunë ndaj tyre.

Pohimet për kërcenim i kanë mbështetur edhe prindërit e fëmijëve. Në lidhje me këtë Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle, mbrëmjen e djeshme janë mbledhur për të diskutuar mundësinë e shkarkimit të arsimtares së Historisë.

Ata kanë marrë vendim që ditën e hënë nga ora 07:30 të dalin pranë hyrjes së Shkollës “Emin Duraku”, për të mos e lejuar mësuesen që të hyjë në objektin shkollor. Në kushte anonimiteti një nxënëse e kësaj shkolle, ka treguar se për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, ata kanë organizuar edhe nënshkrimin e një peticioni për shkarkimin e arsimtares, por e njëjta i kishte kërcënuar ata pasi kishte kuptuar këtë gjë.

“Sot u ardhur te ai kabineti 08 ka qenë me arsimtarin e Artit, u shku e ka kap një çikë për flokëve edhe e ka rreh… Arsimtari ia ka bërë ‘largohu se në orë teme nuk ke të drejtë askënd me rreh’. Ajo edhe një herë për së dyti u hi edhe e ka rreh”, thotë ajo. Një tjetër nxënës i klasës së shtatë, tregon se si është kërcënuar nga kjo arsimtare.

“Arsimtarja sa herë që ka hyrë në klasë, nëse dikush pak ka bërë zhurmë çfarë ka pasur në dorë na ka thënë me këtë ju gjuaj. Ka plotë nxënës që i ka ofenduar, një shoqes i ka thënë ‘oj qurë ulu në vend’…. Mu më ka thënë ‘ulu në vend se ta qorroj syrin’. Një shokut ia ka marrë shishen prej dorës kur ka qenë duke pirë ujë dhe ia ka derdh prej dritares”, tregon ai.Për këtë Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle, ishte mbledhur mbrëmjen e sotme për të diskutuar në lidhje me shkarkimin e saj.

Zijavere Krasniqi, kryetare e Këshillit Drejtues tregon se A.M kishte njoftuar vetë policinë gjatë ditës së djeshme.

“Ajo nuk e ka herën e parë që ka probleme që vjen policia në shkollën tonë, ajo vet e ka njoftuar sot policinë. Kanë ardhur policia ka filluar me më kërcënua mu, arsimtarëve edhe kjo është pse jemi mbledhur ne sot, për me shqyrtuar këtë problem… Ajo e ka ftuar policinë kur ka kuptuar që nga ana e fëmijëve kemi kërkuar një peticion për arsimtaren, kur ka kuptuar për këtë peticion, ka filluar me bërtit në shkollë, me ju kërcënuar fëmijëve të shkollës edhe e ka telefonuar policinë”, tha ajo.Ajo tregon që vitin e kaluar arsimtarja A.M ka qenë e suspenduar nga po kjo shkollë, por që e njëjta ishte kthyer në shtator të këtij viti.

Krasniqi ka bërë të ditur se të hënën të gjithë prindërit do të vendosen para shkollës në ora 07:30 për të mos e lejuar arsimtaren të futet në objektin shkollor. Për këtë ajo tha se e kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës.Valbona Mazreku-Selimi e cila ka dy fëmijë që vijojnë mësimin në Shkollën “Emin Duraku”, thotë se kjo çfarë ka ndodhur nuk është diçka e re. Sipas saj, arsimtarja A.M që nga fillimi ka përdorur dhunë dhe gjuhë jo të mirë ndaj nxënësve të kësaj shkolle.

“Edhe nxënësve që ajo nuk ju jep mësim, ballafaqohen me të. Hiç më larg se dje, ajo u ka marrë fëmijëve shishet e ujit, shishet e lëngjeve, ua ka hedhur. Për ne si prindër nuk janë sjellje normale, të një njeriu normal. Ne nuk po paragjykojmë për arsimtaren, për neve nuk është e rëndësishme se kush është ajo, emri, mbiemri, apo nga vjen. Për neve është e rëndësishme siguria e fëmijëve tonë. Ne nuk ndjehemi aspak të sigurt me praninë e saj në shkollë, dhe kërkojmë nga DKA që ta merr me seriozitet maksimal këtë rast, ta trajtojë me emergjencë, jo sikurse deri tash. Sepse nëse ndodhë që ndonjë fëmijë të pësoj, atëherë ne e dimë se kush janë përgjegjësit”, ka deklaruar ajo.

Në lidhje me këtë rast, Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës ka njoftuar se kjo ngjarje nuk ka elemente për inicim të rastit.

“Policia është marrë me këtë ngjarje dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, kjo ngjarje nuk ka elemente për inicim të rastit dhe ka mbetur të sqarohet në mes institucioneve kompetente shkollës dhe Ministrisë së Arsimit”, ka thënë Ahmeti./Kosovapress/

loading…