“Nxehet” Agim Veliu, ja çfarë selami i dërgon Ramush Haradinajt

Në përplasjen e fundit mes LDK-së dhe AAK-së rreth presidenti, është përfshirë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu shkon edhe më tej, duke thënë se kushtëzimet mes partnerëve të koalicionit nuk janë të shëndetshme, por i çon “selam” AAK-së se kur të dëshirojnë LDK është gati për zgjedhjet e reja.

“Së pari, kushtëzime në mes të partnerëve të koalicionit nuk janë të shëndetshme, nuk do të duhej të kishte kushtëzime. Çdo gjë duhet të bisedohet mes partnerëve të koalicionit, marrëveshja jonë kur është bërë nuk është biseduar për presidentin dhe deri sa Kosova e ka presidentin ende, pse kjo farë ngutie? Në momentin kur diçka është e domosdoshme, sigurisht se partnerët e koalicionit duhet të ulen ta diskutojnë dhe të gjejnë marrëveshje, nëse nuk gjendet marrëveshje nuk është fundi i botës, shkojmë edhe në zgjedhje pa kurrfarë problemi”, deklaroi Veliu për gazetën ‘Blic’.

Sipas Veliut në LDK nuk është diskutuar çështja e Presidentit, dhe në momentin që do diskutohet do të bëhet publik qëndrimi i tyre.

“Ne nuk e kemi diskutuar këtë çështje në Lidhjen Dekomkratike. Në momentin kur kjo del në organet e Lidhjes Demokratike, e marrim një qëndrim, atëherë mund ta merrni qëndrimin e Lidhjes Demokratike”, thotë Veliu.

Debati eskaloi sot në momentin kur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se për partinë në të cilën është ai, të vetmin emër për president e kanë atë të Isa Mustafës.

Por ju kundërpërgjigj Daut Haradinaj, i cili i tha se ose bëhet Ramushi president ose shkohet në zgjedhje të reja.