Nuredin Ibishi: UÇK-ja nuk i ikën drejtësisë, do t’i përgjigjem ftesës

Dita-ditës po shtohen ftesat për intervistim ndaj ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së, por po rriten edhe kërkesat për nisjen e protestave për ta kundërshtuar punën e Gjykatës Speciale. Teksa përfaqësues të OVL-së së UÇK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë e protestave, edhe ish-komandantë të UÇK-së i kanë thënë “Zërit” se do ta përkrahin këtë kauzë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Nuredin Ibishi, ish-komandant i UÇK-së, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale, për “Zërin” ka deklaruar se do t’i përgjigjet kësaj ftese, meqë pjesëtarët e UÇK-së asnjëherë nuk i kanë ikur drejtësisë.

“Ftesën në cilësinë e dëshmitarit e kam marrë para disa ditësh dhe e kam bërë publike. Sikur të gjithë bashkëluftëtarët e mi edhe unë do t’u përgjigjem ftesave të kësaj gjykate dhe Dhomave të Specializuara. Sigurisht që do të marr përgjegjësi, pavarësisht se mendoj që kjo është drejtësi përzgjedhëse, por sido që të jetë ne si pjesëtarë të UÇK-së u jemi përgjigjur çdoherë organeve të drejtësisë”, ka potencuar Ibishi.

Mirëpo ai ka thënë se përderisa pjesëtarët e UÇK-së po ballafaqohen me drejtësinë, kriminelët serbë në anën tjetër po gjejnë strehë në Serbi.

“Derisa ne pjesëtarët e UÇK-së në vazhdimësi i përgjigjemi drejtësisë, kriminelët serbë i strehon qeveria e Serbisë ku dëshmi më e mirë është Rezoluta e Kongresit Amerikan për vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa u përket ftesave të paralajmëruara nga OVL-ja e UÇK-së, Ibishi ka deklaruar se meqë është ftuar nga ky organ për intervistim nuk e sheh të udhës t’u bashkëngjitet protestave, ndonëse i ka quajtur ato të drejta.

“Meqë jam i ftuar nga ky organ nuk është e rrugës të protestoj, sepse kam thënë se do t’i përgjigjem Prokurorisë Speciale, mirëpo është e drejtë edhe e OVL-së të reagojë për këtë çështje.

Mirëpo unë pasi jam i ftuar, këtë herë nuk do të jem pjesë e protestave”, ka theksuar ai.

Kurse drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, në një deklaratë të tij duke folur për Gjykatën Speciale theksoi se duke u bazuar në punën e deritanishme të Prokurorisë shumë shpejt mund të priten edhe aktakuza të rangut të lartë, pasi po vjen fundi i intervistimeve.

“Duke marrë parasysh që është ftuar një numër i madh i ish-pjesëtarëve të UÇK-së në këto intervista qoftë si të dyshuar, qoftë si dëshmitarë, tash po duket se ka ardhur fundi i intervistimeve dhe tashmë priten edhe aktakuzat e para. Pritet edhe figurat kyçe, të cilat kanë qenë koka e UÇK-së dhe tashmë janë figura kyçe politike në Kosovë, që mund të jenë pjesë e aktakuzave në këtë Gjykatë”, ka thënë ai.

loading…