Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se 10 milionë euro është vlera e dëmeve të shkaktuar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Nura për Euronews Albania ka thënë se janë 10 fshatra dhe qyteti të përfshira nga vërshimet.
“Kryesisht, janë 10 fshatra që janë goditur, përfshirë qyteti i Skenderajt. Është dëmtuar jashtëzakonisht infrastruktura publike. Bëhet fjalë për 11 ura të shkatërruara totalisht, jashtë përdorimit. Rrugë, ekonomi familjare, biznese, ekonomi bujqësore, ku vlerësimi është 10 milionë euro dëme në total”, tha Nura.
Ai ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën e dhënë.
“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili më ka marrë në telefon dhe ka ofruar gatishmërinë. Njëkohësisht, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, i cili ka bërë hapa të caktuar në drejtim të ofrimit të ndihmës, përmes Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila ka ofruar gjendje gatishmërie afër kufirit me Kosovën”, theksoi Nura.







