Numri tejet i ulët i votuesve deri në orën 11:00!

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakaj ka mbajtur konferencën e dytë, duke bërë të ditur ecurinë e votimeve gjatë ditës së sotme në komunën e Podujevës dhe komunën e Mitrovicës së Veriut.

Ajo ka thënë se  deri në këto momente, procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë lajmërim për parregullsi gjatë votimit.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”, ka bëtë të ditur Dakaj.

Ajo ka thënë se në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre, ndërsa në zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%.

Dakaj ka thënë se konferenca e radhës është në orën 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00.