Rastet e reja me koronavirus në Kosovë kanë shfaqur shqetësim të madh edhe përtej kufijve të saj.

Biznesmeni nga Kosova i cili jeton në Japoni, Mithat Haxhiislami, i njohur si Miki, ka reaguar pas konfirmimit të 53 rasteve të fundit pozitive me Covid-19, për çka thotë se në Tokyo, vendi ku jeton ai qarkullojnë mbi 30 milionë njerëz dhe gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar vetëm 24 raste pozitive me virusin korona, ndërsa në Kosovën e përbërë prej më pak se dy milionë banorësh, po në të njëjtën ditë janë shënuar dyfishi i këtyre rasteve.

Në një prononcim dhënë Gazetës Metro, Haxhiislami thotë se situata në Japoni asnjëherë nuk ka qenë, madje as për së afërmi e ngjashme me ndonjë vend tjetër sa i përket pandemisë Covid-19, meqë siç thekson ai, ky vend i cili ka sjelljen shoqërore të nivelit më të lartë në botë, kanë respektuar këshillat e dhëna nga qeveria për vetëmbrojtje, duke bartur maskë, me përshëndetje pa kontakte fizike, gjë që është edhe traditë e këtij populli.

“Masat e jashtëzakonshme, nuk kanë qenë aspak të tilla, por qeveria vetëm ka kërkuar (si këshillë) nga bizneset dhe popullata të punojnë nga shtëpia dhe të vetë-izolohen, çka edhe gati 80% të bizneseve/popullatës i kanë përfillë këto këshilla. Më shumë se 95% e popullatës e bartin maskën, përshëndetjet janë pa kontakt fizik, çka është edhe traditë e tyre mijëra vjeçare, dhe niveli i higjienës personale dhe asaj shtëpiake është tepër i lartë.

Këto e kanë bërë që ky vend me 127 milionë banorë, të ketë më pak se 19,000 raste të infektimeve dhe as 1,000 mijë fatalitete. Mos të harrojmë që Tokio është qyteti me dendësinë më të lartë të popullsisë në botë, ku çdo ditë qarkullojnë më shumë se 30 milionë njerëz. Prandaj, lirisht mund të them se falë këtyre sjelljeve shoqërore të papara në çfarëdo vendi tjetër në botë, Japonia fatmirësisht e ka një situatë mjaft të butë të pandemisë”, ka thënë tutje ai.

Udhëheqësi i kompanisë ‘INTERMEDICO JAPAN’, më tej ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të shqiptarëve që jetojnë atje, për të cilët thotë se asnjëri nga 120-130 shqiptarëve që jetojnë në mbarë Japoninë, nuk është prekur nga ky infeksion.

“Sa i përket shqiptarëve, jemi një komunitet jo më shumë se 120-130 vetë në mbarë Japoninë, dhe ndoshta rreth 35 në Tokio. Shumica (90%) janë nga Shqipëria, dhe me sa unë kam informacione nga kontaktet e mija në rrjetet sociale me ta, fatmirësisht asnjëri nuk është infektuar nga Covid-19, çka thellësisht uroj të mbetet kështu deri në zbulim të vaksinës”, është shprehur Haxhiislami.

Afaristi kosovar ka kërkuar që të gjithë shqiptarët të vazhdojnë kujdesin për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të këtij virusi, duke respektuar masat preventive, ndër të cilat është edhe bartja e maskës, mbajtja e distancës dhe evitimi i përshëndetjeve me shtrëngim duarsh, pasi që virusi do të jetë prezent për shumë muaj në vijim dhe duhet mësuar të bashkëjetojmë me të dhe të sillemi me përgjegjësinë më të madhe.