Numri i rasteve me COVID-19 e kalon 15-milionëshin në Evropë

Numri i rasteve me koronavirus në Evropë e ka kaluar 15-milionëshin të premten, tregojnë të dhënat e agjencisë së lajmeve, Reuters, në kohën kur rajoni po përjeton ngritje alarmante në prag të dimrit. Evropa po regjistron nga një milion raste me COVID-19 çdo katër ditë.

Evropa ka dëshmuar saktësisht 15,046.656 infektime të raportuara dhe 344,401 vdekje të shkaktuara nga koronavirusi i ri, apo një e katërta e infektimeve dhe vdekjeve në shkallë botërore.

Megjithëse ishin dashur nëntë muaj që rajoni të arrinte shifrën prej pesë milionë rastesh, dhjetë milionë infektimet tjera janë regjistruar për më pak se dy muaj, tregojnë të dhënat e analizuara nga Reutersi.

Me vetëm një të dhjetën e popullsisë së botës, Evropa përbën 26 për qind të rasteve të botës me infektime prej 56.9 milionësh sa janë regjistruar deri tani, dhe 25 për qind të 1.3 milionë vdekjeve të deritanishme. Nga të gjitha 100 infektimet të raportuara nga mbarë bota, 39 prej tyre janë nga shtetet e Evropës.

Franca ia kalon Rusisë

Franca ia ka kaluar Rusisë, duke u kthyer në shtetin me numrin më të lartë të infektimeve në Evropë, duke u radhitur pas Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Brazilit. Franca dhe Rusia tani përbëjnë 27 për qind të të gjitha rasteve në Evropë.

Në kontinentin e vjetër, Evropa Lindore numëron një të tretën e rasteve të përgjithshme në Evropë, dhe 24 për qind të rasteve fatale në rajon. Republika Çeke, Polonia dhe Ukraina mbesin në mesin e shteteve të goditura më së rëndi krahasuar me numrin e banorëve.

Në mesataren javore, Rusia raportohet se po regjistron më shumë se 22 mijë raste në ditë. Disa spitale në vend po raportojnë për mungesë të madhe të ilaçeve të përdorura për trajtimin e COVID-19 dhe nuk mund të krijojnë stoqe për shkak se qytetarët në panik po blejnë ilaçe.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka bërë të ditur se mund të zbusë pak masat me qëllim që familjet të mund të mblidhen për Krishtlindje pas shenjave të para se kanë nisur të sheshohen shifrat.

Gjermania ul numrin e infeksioneve, por e alarmuar

Gjermania ka arritur të stabilizojë numrin e të infektuarve me koroanvirus, por ende nuk ka ndalur trendin. Qeveria gjermane ka deklaruar se numri i infeksioneve duhet të bjerë më shumë teksa ka paralajmëruar një takim të kancelares Angela Merkel me krerët e shteteve gjermane për të vlerësuar gjendjen aktuale të infeksionit në Gjermani. Qëllimi i qeverisë gjermane është që të reduktojë në 50 raste në 100 mijë banorë gjatë shtatë ditëve të ardhshme.

Deri më tani numri i të infektuarve në 100 mijë banorë është 140. Kancelarja Merkel tri ditë më parë ka deklaruar se gjendja ende është serioze në Gjermani. Ajo ka thënë se vendimi më i vështirë që ka marrë në karrierën e saj politike ishte ndalimi i të gjitha kontakteve për gjermanët.