Për ta lexuar revistën Zgjimi, klikoni në linkun:
Nga sonte, në gazetën “Demos”, dhe për çdo të diele mund t’i lexoni të gjithë numrat e revistës ikonike të viteve ‘90-të, “Zgjimi”, e cila ekskluzivisht vjen para jush nga numri i parë deri te ai i fundit.
Në 37 numrat e saj do të lexoni shkrime dhe informacione politike, historike e kulturore, të cilat janë dëshmi e pamohueshme e trandjeve të mëdha të fundshekullit të kaluar.
Numri i parë i kësaj reviste doli në nëntor të vitit 1991, kur represioni serb kishte shtuar trysninë kudo në Kosovë, duke e shtypur e ndaluar fare fjalën e lirë dhe më pas edhe mbyllur objektet arsimore kosovare. Dalja e kësaj reviste, në këtë kohë, ishte një sihariq i mirë për të gjithë ata që i thoshin JO nënshtrimit, JO dhunës dhe përuljes së dinjitetit kombëtar.
Karakteri i saj kryengritës, vërehet që në numrin e parë, e cila si për ta ‘maskuar’ kursin dhe diskursin e saj nacional, mori statusin e një fletushke, por struktura e saj ishte tipike e një gazete të kohës.
Vetë dizajni i faqes së parë shenjon në vete edhe vizionin e saj të gjithmbarshëm; në krye të herës qëndronte motoja: “Me besa –besë, ja Vdekje, ja Liri!, e theksuar më të madhe, e cila do të bartët nga numri në numër, si trajtë kushtrimi e bashkimi. Aty do lexoni fakte e dëshmi të represionit serb, por edhe të rezistencës së përgjithshme popullore deri në kryengritje të armatosur.
Në 37 numrat e revistës “Zgjimi” do të gjeni edhe mendimin dhe veprimin e ajkës së intelektualëve shqiptarë, veprimtarëve dhe aktivistëve të rinj e të vjetër, rrëfimet e përjetimet e të burgosurve politikë, emra të njohur të historisë, të politikës, publicistikës, të rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur.
Mbi të gjitha, aty do të gjeni shkrime e raportime të veprimtarëve të devotshëm politikë, e që në pjesë e tyre tashme janë dëshmorë, por edhe të shumë aktivistëve të tjerë, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë, qoftë para dhe pas lufte.
Me revistën “Zgjimi” do të ktheheni në kohë për të mësuar të vërtetën historike dhe sakrificën për të cilën kaluan shumë breza.







