Numri i fletëvotimeve të pavlefshme kalon pragun zgjedhor

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, mbi 40 mijë e 732 fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme. Komunat që prijnë për nga numri i fletëvotime të pavlefshme, sipas KDI-së janë Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.

Por hendek i këtij numri kaq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po konsiderohet mos informimi adekuat për mënyrën e votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe subjekteve politike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress, se derisa rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk janë certifikuar, KQZ-ja nuk ka identifikuar natyrën e pavlefshmërisë së votave.Por që sipas tij një raport më i detajuar për pavlefshmërisë së votave do bëhet më vonë.

Elezi nuk e ka anashkaluar edhe mundësinë që mos informimi po ndikon në numër të madh të këtyre lloj votash, dhe këtë e arsyeton me afatin e shkurtër për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka analizuar natyrën e fletëvotimeve të pavlefshme në këto zgjedhje, Komisioni kanë analizuar mbi 7 mijë fletëvotime të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Nga kjo analizë del se rreth 45 përqind e rasteve, votuesi ka shënjuar vetëm numrin e kandidatëve, por jo edhe atë të subjektit politik.

Në anën tjetër shoqëria civile po vlerëson se mungesa e kampanjave adekuate nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mos targetimi i zonave ku po përsëritet ky fenomen po qon deri në numrin kaq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KosovaPress, se në dy palë zgjedhjet e fundit numri i votave të pavlefshme ka kaluar pragun zgjedhor duke qenë se ka arritur më shumë se 5 përqind.

Sipas Cakollit, në këtë numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po ndikojnë edhe fushatat nga subjektet politike të cilat kryesisht po orientohen vetëm tek kandidatët.

Sipas tij, duke marrë parasysh që nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, mund të rritet edhe më shumë numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit.Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skenderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67% ,Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.

Referuar këtyre të dhënave, hulumtuesi i KDI-së i ka rekomanduar KQZ që përmes kampanjave të tyre të fokusohen më shumë në komunat që ka numër më të madh të votave të pavlefshme.

Kujtojmë që dukuria e fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë prezente mjaftë shumë edhe në dy palë zgjedhjet parlamentare të mëhershme. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, numri i fletëvotimeve të tilla kishte qenë 30 mijë e 725, kurse në zgjedhjet e kaluara gjithsej ishin 42 mijë e 554 fletëvotime të pavlefshme.

loading…