Ka përfunduar numërimi i 41 mijë e 264 votave të dërguara me postë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Partia që ka marrë më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje, gjithsej 31 mijë e 807.

Pas VV-së radhitet Partia Demokratike e Kosovës me 3 mijë e 773 vota, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës me 3 mijë e 383 vota dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 998 vota.

Deri në fund të ditës pritet të numërohen të gjitha votat e diasporës, e që gjithsejt janë mbi 56 mijë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky proces është drejt përfundimit.

“Jemi gati në përfundim të numërimit të zarfeve me fletëvotime nga jashtë Kosovës. Deri në orët e mbrëmjes numërimi i tyre do të përfundoj.  Pas përfundimit të numërimit të tyre, QNR’së i duhen disa orë kohë për procedurat e parapara për ta kryer për të [përmbyllur administrimin për rezultatet e zgjedhjeve”, tha Elezi. /Ballkani.info/