Nuk ua merr mendja për çka shkojnë kosovarët tek fallxhorja

Dikush shkon për ta parë të ardhmen e dikush për kuriozitet. Dikush beson shumë në ta, e të tjerë i shohin me skepticizëm. Çka thonë klerikët fetarë e psikologët për falltorët? A e njeh ligji këtë veprimtari? A jeni tunduar edhe ju ndonjëherë nga “parashikimi i të ardhmes tuaj”?

Tema e magjisë apo fallit siç njihet ndryshe në gjuhën popullore gjithmonë ka krijuar debat, dyshim, madje edhe intrigë, në kohët e kaluara është konsideruar si pjesë e rëndësishme e jetës.

Prej vitesh shqiptarët kanë pasur interesin e madh për të parë të ardhmen tek fallxhori.

Të shtyrë nga kurioziteti, problemet familjare apo shëndetësore, dilemat jetësore e shumë arsye të tjera, njerëzit kanë frekuentuar dhe vazhdojnë ti frekuentojnë fallxhorët e letrave, filxhanit, dorës, etj., për të lexuar fatin e ku në disa prej rasteve, leximi i fatit bëhet kundrejt një pagese, , por edhe kur nuk kërkohet një e tillë, gjithsesi dhurohet diçka simbolike.

Në vendin tonë, fenomeni i magjisë apo fallit mbetet ende i përhapur brenda shoqërisë.

Si funksionon e gjithë kjo?

Gazeta Insajderi ka intervistuar një zonjë 29-vjeçare e cila ka folur për përvojat e saj për të mësuar më shumë se si funksionon një gjë e tillë dhe pse vazhdon të tërheqë njerëzit.

R.L., një grua 29-vjeçare nga Prishtina, në rrëfimin e saj ka përshkruar në detaje se si e ka marrë vendimin për të vizituar një vend të tillë, habinë e saj me parashikimet e fallxhores, magjinë e zezë dhe se si është ndjerë pas gjithë kësaj.

“E ka përshkruar jetën time, ka ditur gjithçka prej fëmijërisë sime , më ka lanë pa tekst, krejt senet që i kam bërë i ka ditë ngjarjet që më kanë ndodhë kur kam qenë e sëmurë, e ka ditë për nënën teme që i ka vdekë një fëmijë, e ka ditë me çka merremi se na kem biznes e krejt këto mi ka thënë. Atë nuk e kam njoftë, por një shoqe ma ka sugjeruar dhe kam pas besim të plotë tek ajo edhe ajo është kanë një herë te fallxhorja. I kam pas do momente shumë të këqija, e shoqja më tha që ja kish pas qellu për gjana të saj, e vendosa me shku”, rrëfen R.L.

R.L. ka treguar se si mbeti e habitur nga parashikimet e fallxhores në lidhje me historinë dhe të ardhmen e saj.

“Për të ardhmen nuk i besova, mirëpo për të kaluarën teme, po, i ka thanë do sene që unë s’kam mujt mi besu kam mbet pa fjalë, thjeshtë më ka habit tepër .Jo unë jam e para, kur shkova me ka lanë pa tekst mënyra se qysh ka shiku fallin është kanë kështu; e kom pi një kafe edhe masanej ma bani se në bazë mimikave i shikojë elementet që më ndihmojnë me ditë për ty, tha koke kanë shumë me ambicie, pastaj në ndërkohë muhabetin e prindërve, e ka ditë që e kam pas një lidhje, qe 1 muaj e gjysmë dhe më tha je nda. Edhe është e vërtetë që jam nda”, tha R.L.

R.L. vazhdon duke thënë se kjo procedurë përfshin “magji të zezë”, të cilën ajo e aplikon duke përdorur një sërë metodash.

Ajo tregon se si ka arritur në përfundimin se ata kanë kontakt me djallin si rezultat i gjithë kësaj.

“Forja e tyre ishte qysh me të detyruar me shku herëve tjera, po ia fillojke me atë se ti ki magji të zezë ki të bame, diçka dikush prej familjes tanë ta ka bërë magjinë e zezë, e ki në trup magjinë e zezë e cila po ti largon të gjitha senet e mira, mi tha do dua, edhe më tha nëse më hapet goja ki shumë të këqija, edhe ashtu ndodhi asaj ju hap goja. Më ka jep ujë me pi , më tha 5 ditë ki me pi ki me i lag teshat, shtratin ku flenë, edhe më ka thënë krejt ata persona që i shoh në ëndërr emrat e tyre duhet me i shkru me nju letër edhe at letërme e djeg. Mas krejt kësaj kam ardhë në një përfundim që qeto faltoret flasin me dreqin”, tregon R.L

29-vjeçarja ka treguar edhe koston e seancave dhe arsyet e moskthimit.

“Metoda e pagesës e kom ditë që filxhanin me ta shiku kushton 10€ me të fry gjithashtu 10€, çdo seancë 20€ pas kësaj u binda që biznes asht krejt kjo punë, edhe nuk kam shku ma se u binda që fol me dreqën edhe qysh e diti të kaluarën time, e unë i besoj Zotit, e di qe asht gjynah unë ma shumë jam shkuar me ditë për të ardhmen se sa për te kaluarën. Po, fshehurazi e ka në frizerk, hin në sallon, pastaj shkon në një dhomë tjetër, dhoma asht kanë e thjeshtë një tavolinë një karrige një fletore ku mbajke shënime, emrat e klientëve edhe datat”, tha ajo.

R.L më pas zbuloi gjendjen e saj emocionale, si ndikoi te ajo dhe kujt iu drejtua më pas.

“Shumë keq, nuk po mundem as gjumë me ba as kurgjo, ka ndiku shumë keq, ma mirë jam kanë ma përpara bile edhe atëherë kur jam kanë te psikologu seancat me ta edhe pse janë kanë në formë rrëfimi, më kanë ndihmuar shumë për me u shprazë, jam ndi shumë mire emocionalisht, por ajo se qa më tha me shku tek faltorja asht se kam dashtë me ditë të ardhmen teme. Mirëpo krejtkjo përfundojë shumë keq në jetën teme. Ju kisha thanë që mos me provu asnjëherë për asnjë arsye”, ka thënë R.L

Çka thotë feja Islame rreth kësaj dukurie?

Hoxhë Faton Bytyqi ka thënë se Islami i ndalon lojërat e fatit dhe kjo është e dokumentuar në Kuran, librin e shenjtë të fesë islame.

“Islami nuk i lejon lojërat e fatit si bixhozi, kumara etj. Përgjigjen shumë të qartë e hasim në këtë ajet Kuranor “O ju që keni besuar! Të gjitha pijet alkoolike dehëse dhe që të marrin mendjen, kumari, bixhozi, idhujt, hedhja e shortit, kërkimi i fatit me shigjeta, – janë të neveritura e punë prej shejtanit, kështu që hiqni dorë prej të gjitha atyre punëve të neveritura, që të jeni të shpëtuar. Shejtani do vetëm që të nxisë armiqësi e urrejtje në mes jush, me anë të pijeve dehëse dhe kumarit (bixhozit), t’ju ndalojë nga të kujtuarit e Allahut dhe nga falja, pra, a po i jepni fund alkoolit e bixhozit? ( El- Maide: 90-91 )”, tha Bytyqi.

Tutje ai ka përmendur disa arsye të cilat i shtyjnë njerëzit drejt lojërave të magjive apo fallit.

“Mendoj se ka disa arsye ata që merren me to

1.Padituria për pasojat fetare dhe materiale;

2.Përtacia për të punuar;

3.Lakmia për tu pasuruar brenda natës;

4. Reklamimi i tyre në shoqërinë tonë” – tha Bytyqi

Ndërsa në një intervistë për InDoks, dy vite më parë imami nga Peja, Zuhdi Hajzeri kishte rrëfyer dy raste të cilat janë të trishtueshme, kur imamët e hajmalive dyshohet se çuan pacientë në probleme të rënda, e ndoshta edhe drejt vdekjes.

“Një djalë i ri kështu pas një jave në atë kohë nga operimi i apendsit shkon tek një hoxhë me i këndu në kuran dhe me e rrah me shkop për një moment ja vendos shkopin ne [plagë dhe, ai detyrohet me shku përsëri në spital për kurim. E gjitha kjo duhet të hulumtohet se si po psurohen dhe po i maltretojnë qytetarët, shoki im i ka gjet disa letra të shkruar të mëdha që motra e tij që jeton në austri ka pagu 3000 qingja të vizatum”, kishte rrëfyer ai.

Imami kishte treguar dhe një rast tjetër si hoxhallarët i kanë keqtrajtu njerëzit për shkak të fenomenit të magjisë.

“Një vajzë është demoralizune shumë kur e ka pa hoxhën ka fillu me bërtit dhe ecke në duar dhe këmbë sikurse qeni, kur e pyeta familjen se cili është problemi më kanë thanë se e kanë dërgu tek shumë hoxhallarë dhe ka pas që shumë prej tyre s’kanë qenë hiq hoxhallarë i kanë këndu në kuran edhe e kanë rrah”, hoxha e merr shkop edhe e rrah, kjo kishte ndodhur me atë vazjën që si e ka shiku hoxha nga Egjipit i ka thënë që t’i duhesh me shku te mjeku, kjo s’ka të bëjë asgjë më hoxhë”, , ka shtuar Hajzeri.

Çfarë thotë psikologjia për këtë ?

Psikologu, Liridon Aliu, ka thënë se ky është një fenomen universal i besimit, megjithatë ai ka treguar se psikologjia, psikiatria dhe fushat tjera shkencore nuk i njohin këto dukuri dhe si të tilla as nuk i trajtojnë fare.

“Është një fenomen universal besimi që ekziston magjia e zezë apo forca të tjera që munde të ndikojnë shëndetin fizik dhe psikik të njeriut dhe që mund të ndikojnë në ngjarjet e jetës së një personi. Ekzistenca e këtyre fenomeneve pranohet edhe nga fete kryesore, dhe klerikët fetar i trajtojnë personat me metodat e tyre. Sigurisht ka dallime mes fesë dhe shkencës ne qasje ndaj këtyre fenomeneve. Psikologjia, psikiatria dhe disiplinat tjera shkencore që merren me shëndetin mendor nuk i njohin këto dukuri, prandaj nuk munde ti trajtojnë, sepse si dukuri nuk mund të provohen me metodat e pranuarat e njohjes shkencore që ne kemi në dispozicion”, ka thënë Aliu për Insajderin

Aliu ka deklaruar se praktikisht në çdo situatë kur individët ndjejnë se janë të pushtuar nga shpirtrat e magjisë së zezë, ata në vërtet mund të kenë sëmundje psikiatrike që ndikojnë në anën e tyre emocionale.

“Në shumicën e kohës kur personat dyshojnë që ndaj tyre veprojnë forcat e magjisë së zeze apo jane te pushtuar nga djalli në të vërtet munde të kenë ndonjë çrregullim psiqik që mund të manifestohet me simptoma të caktuara që prekin anën emocionale, kognitive dhe të sjelljes së personit në fjalë. Mirëpo duhet cekur që ne si profesionist duhet të respektojmë në maksimum anën shpirtërore të klientëve/ pacienteve tanë!Ata kanë besimet dhe vlerat e tyre, kanë edhe besimet fetare me të cilat vijnë në seancë dhe trajtim te ne, dhe të cilat vlera në edhe mund ti injorojmë por ato janë me klientin tonë në seancë, prandaj duhet ti marrim parasysh!. Nëse nuk pajtohemi me të njëjtat vlera e besimi së paku duhet ti pranojmë. Personalisht nuk kam probleme me klerikët e mirëfilltë fetar sepse qasja e tyre zakonisht bazohet në librat e shenjtë dhe për ata që janë klerik me edukim të mirëfilltë e njohin limitin, dhe ka raste kur klientëve ju referojnë vizitë te psikologu po psikiatri”, tha psikologu Aliu.

Ai ka treguar se si sfida më e madhe për ta mbetet me ata të cilën thirrën në emër të hoxhës apo imamit, të vetëquajtur mjekë tradicional por me edukim bazik.

Aliu ka sugjeruar në fund se kushdo që mund të ketë dyshime të tilla rreth magjive të zeza apo pushtimin nga djalli, të takojnë vetëm profesionistë mendor apo klerikë të vërtetë fetar.

“Problemit me te madha i kemi me te vete-quajturit hoxhallarë, mjek tradicional apo profesionist të cilët nuk kane një edukim bazik, nuk kanë njohuri për ndërtimin dhe funksion organik apo psiqik të njeriut e nuk e njohin as anën shpirtërore dhe trajtojnë pacientët me probleme serioze me metoda të rrezikshme dhe pa asnjë bazë shkencore. Dëmet që mund të shkaktojnë këta persona tek klientët/pacientët janë të mëdha. Rreziku për përkeqësimin e gjendjes, rritjen e simptomave të çrregullimit e deri tek ulja e cilësisë së jetës apo rrezikimi i jetës nga gjendjet organike apo psiqike te pa trajtuara janë opsione reale në këtë situate. Prandaj mesazhi im është që secili person që ka dyshime për magjinë apo pushtimin nga djalli dhe kjo e ndikon cilësinë e jetës së tyre të kërkojnë të takojnë një profesionist të shëndetit mendor qoftë në institucione publike apo private për një vlerësim dhe përtej kësaj mbetet vendim i tyre nëse duan të konsultohen edhe me klerik fetar. Por edhe nëse duan një këshillë me klerikët atëherë rekomandoj që këtë ta bëjnë me klerikët e vërtet dhe assesi mos të pranojnë konsulta ose trajtim me perona që nuk kanë një edukim teologjik, fetar apo që nuk kanë një certifikim për punën që bëjnë dhe që aktiviteti i tyre është ilegal, po ashtu metodat e tyre të punës mund të jenë të rrezikshme”, tha Aliu.

Çka parasheh ligji ?

Avokati Asdren Bytyqi ka thënë se në ekspertizën e tij si avokat nuk ka hasur në ndonjë proces gjyqësor që ka të bëjë me pretendimet e dyshuara për magji.

Ai ka treguar se dukuri të tilla nuk janë të rregulluar me Ligjet e Kosovës.

“Une nga përvoja ime 10 vjeçare si jurist dhe avokat nuk kam dëgjuar që dikush të ketë paditur dikë me dyshimin se i ka bërë magji. Ligjet në Kosovë nuk rregullojnë fare çështjet e magjive dhe magjistarëve, ndikimet e tyre me metoda të caktuara tek bota shpirtërore, psikologjike apo fizike të individëve”, tha ai.

Këto aktivitete rrallë herë vizitohen nga institucionet hetuese për të parë nga afër atë se çfarë punojnë të ashtuquajturit mjekë popullor.

Vetën e cilësojnë si shërues të shumë sëmundjeve, ani pse asnjë nga ta nuk janë të rigjistruar me këtë cilësi në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

Numri i saktë i njerëzve që ushtrojnë këtë aktivitet të dyshimtë nuk dihet, e shteti ende nuk ka filluar të mirret me ta.