RTK

Nuk reaguan për Dimal Bashen, ky është sqarimi i kryetarit te bordit te RTK-së

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka reaguar për deklaratën skandaloze të deputeti të Vetëvendosjes Dimal Bashës.

“Një krahasim i tillë i RTK-së me RTK-në është i papranueshëm dhe fyes”, thuhet në sqarimin e tij dërguar Insajderit duke mbështetur në tërësi reagimin që bëri drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj

“RTK reagon për çështje të ndryshme dhe çdo reagim nga niveli udhëheqës është qëndrim i transmetuesit publik. Prandaj, kur reagon drejtori i përgjithshëm, drejtori i televizionit, ose i radios, ai përfaqëson qëndrimin e RTK-së për atë rast dhe rrjedhimisht mekanizmat tjerë udhëheqës më lartë apo më poshtë nuk deklarohen veçmas, përveç nëse mendojnë ndryshe. Edhe për këtë rast, por edhe për deklaratën e një deputeti tjetër, ka pasur reagim nga drejtues të televizionit, që një krahasim i tillë i RTK-së me RTK-në është i papranueshëm dhe fyes dhe ky qëndrim përfaqëson qëndrimin e RTK-së si tërësi”, ka thënë në reagimin e tij kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes (4 maj) e kishte intimiduar gazetaren e RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi, kur ishte pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin. Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kanë veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me bë Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”, deklaroi ai para dy ditësh.

Drejtori i RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka parë sulm të drejtpërdrejt në pavarësinë e mediumit deklaratën e Bashës.

“Ndërtimi i narracionit që kushdo që raporton ndryshe nga bindjet politike të tjetrit është me Serbinë dhe RTS-in, është sulm i drejtpërdrejt mbi punën dhe angazhimin tonë të përditshëm”, ka deklaruar ai.