Nuk reaguan në rrahjen e tmerrshme para syve të tyre, suspendohet komandanti dhe pesë policë në Veri

Komandanti dhe pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Veri janë suspenduar nga puna me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë, pasi nuk ndërmorën masat e duhura gjatë një rrahje që ndodhi dje në mesditë në rrugën “Kralja Petra” në Mitrovicë.

Rrahja e djeshme, është e katërta në këtë muaj, ku grupet kriminale ne veri po qartësojnë hesapet në prani të pjesëtarëve të policisë. Në videon e publikuar mbrëmë vërehet qartë mos reagimi i shefit të ndërrimit Milija Milosevic.

Burimet e IndeksOnline kanë thënë se këto sjellje të policëve nuk do të tolerohen dhe ndaj çdo pjesëtari që nuk kryen detyrat e duhura do të merren masa.

Të suspenduar nga puna janë: Milan Mihajlovic, Nebojsa Spasojevic, Dragan Jovanovic, Srdjan Spasojevic dhe Zlatibor Ristic.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës:

“Pas një mosmarrëveshje, të martën në orën 12 e 49 minuta në rrugën “Kralja Petra” në Mitrovicë, ka ardhur deri tek rrahja në mes pesë të dyshuarve meshkuj kosovarë. Të lënduarve në rast i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.