Nuk përfillen masat e reja anti-Covid, plot qytetarë në Batllavë

Qytetarë të shumtë janë parë sot në Liqenin e Batllavës, përkundër që ditë më parë kanë hyrë masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirus.

Në bazë të pamjeve, shihen qytetarë të shumtë në këtë anë, teksa aty shihet se s’janë respektuar masat themelore kundër virusit korona, atë të distancës dhe bartjes së maskës.

Ndërkohë, ditë më parë në Kosovë kanë hyrë masat e reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, e që të njëjtat do të jenë në fuqi deri më 8 prill.

Kufizimi i lëvizjes është vendosur nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit, derisa institucionet publike dhe private të arsimit parauniveristar dhe universitar do të kalojnë në mësim online.

Gastronomia do të pezullojë aktivitetin në këtë periudhë kohore bashkë me qendrat tregtare në të cilat do të funksionojnë vetëm marketet ushqimore dhe barnatoret. Për të respektuar këto masa kanë apeluar krerë të institucioneve dhe Policia e Kosovës.