“Nuk krijoj faqe për dasma gay”| Gjykata e Lartë vendos në favor të artistes, reagon i shqetësuar Biden

Gjykata e Lartë e SHBA- së mbështet një web designer të krishterë nga Kolorado, e cila refuzon të krijojë faqe për të celebruar dasmat e homoseksualëve, pavarësisht nga ligjet në fuqi në shtet që ndalojnë diskriminimin ndaj komunitetit LGBTQ.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se Lorie Smith, pronare e një agjencie për dizajnimin e faqeve të internetit, beson se ajo ka të drejtë të refuzojë shërbimet e saj të dasmave homoseksuale sipas Amendamentit të Parë. Vendimi është një humbje për aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Gjykata vendosi 6 me 3 në favor të projektueses së grafikave Lorie Smith, pavarësisht faktit se shteti i Kolorados ka në fuqi një ligj që ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, gjinisë dhe karakteristikave të tjera. Zonja Smith argumentoi se ky ligj shkel të drejtat e saj për lirinë e shprehjes.

Pas këtij vendimi ka reaguar i shqetësuar edhe presidenti Biden.

“Jam shumë i shqetësuar se vendimi mund të çojë në diskriminim më të madh kundër amerikanëve LGBTQI+”, tha presidenti Joe Biden.

Kundërshtarët paralajmëruan se fitorja për të do të lejonte një varg biznesesh të tjera që të diskriminojnë, duke refuzuar t’iu shërbejnë afrikano-amerikanëve, klientëve hebrej dhe myslimanë, apo çifteve të krijuara nga persona të racave apo besimeve të ndryshme, si dhe ndaj emigrantëve. Por zonja Smith dhe mbështetësit e saj thanë se një vendim kundër saj, do t’i shtrëngonte artistët – duke filluar që nga piktorët dhe deri tek fotografët, shkrimtarët dhe muzikantët – që të bënin punë që do të ishte kundër parimeve të tyre.