“Nuk kemi përvojë të mirë në ndërhyrje”: Albin Kurti kishte dyshime për Policinë, në rastin e aksionit në Karaçevë

Kurti nuk e kishte miratuar kërkesën e Veliut me arsyetimin se nuk ka mjaftueshëm fakte për ta zhvilluar një aksion në Karaçevë. Ai gjithashtu kishte vënë në pikëpyetje edhe aftësinë e Policisë së Kosovës, duke thënë se nuk kemi përvojë për ndërhyrje në këto zona.

Policia e Kosovës dje në mbrëmje ka ndërmarr një aksion në zonën kufitare të fshatit Karaçevë të Kamenicës, ku dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore është ushtruar trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, kontrabandë, organizim i lojërave të fatit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Për këtë çështje u diskutua shumë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe dje në seancën ku raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu ka thënë në Kuvend se në shkurt ka kërkuar nga kryeministri atëhershëm Albin Kurti, që të ndërmarrin aksion për në Karaçevë, por që ishte refuzuar.

“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndalë askush. Atë punë do ta bëjë dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejtë, do ta bëjë”, ka thënë Veliu.

E ky deklarim i Veliut po del të jetë i saktë, pasi vet Kurti e ka pranuar me një intervistë se ai nuk i ka dhënë miratimin atij për të marrë aksion në Karaçevë kundër krimit të organizuar.

“I kam pyetur dy herë, ish-ministri i Brendshëm një herë me Zv.Kryeministrin (Avdullah) Hoti ku është ky aksion, më thanë njëherë në Zubin Potok e njëherë në Karaçevë, në atë pjesë e territorit që në bazë të marrëveshjes së Kumanovës mbase edhe nuk është e qartë a është në Kosovë apo Serbi por e dimë që është pjesë e Kosovës. Pastaj unë kërkova sqarime që të ketë një lloj teksti analize se pse do të kishin sukses këto operacione meqënëse nuk kemi përvojë të mirë në ndërhyrje në këto zona. Dhe kur kam kërkuar diçka me shkrim si dëshmi nuk më është dhënë asnjëherë saqë jam detyruar të them se… “, kishte thënë Kurti në Jeta në Kosovë.

Më poshtë keni videon e kësaj intervistë dhe pohimet e Kurtit, si dhe deklaratën e Agim Veliut.