Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji ka shqyrtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë
Anëtarët e këtij komisioni nuk e kanë votuar propozimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për harmonizimin e ligjeve për Kinematografinë. Tre anëtarët nga partitë në pushtet, Teuta Haxhiu, Albulena Balaj-Halimaj dhe Abdyl Salihu votuan pro këtij harmonizimi. Ndërsa anëtarët nga opozita, Ismajl Kurteshi, Driton Çaushi dhe Valentina Bunjaku votuan kundër.
Pas kësaj, vazhduan polemika të shumta mes anëtarëve të komisionit, ku Teuta Haxhiu dhe Albulena Balaj-Halimaj lëshuan sallën për arsye siç thonë ato fjalorit të kryetarit të komisionit, Ismajl Kurteshi.

Fokusi i diskutimit të këtij komisioni ishte tek një pikë. Deputetët opozitarë insistuan që në këtë harmonizim të ligjeve duhet ndryshuar neni 55 ku flet për gjobat që duhet shqiptohen atyre që ndryshojnë destinimin e objekteve kulturore.
Ismajl Kurteshi, kryetari i këtij komisioni tha se ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Kinematografinë duhet, mirëpo sipas tij arsyet e Ministrisë së duhet harmonizim të ligjit nuk ka të bëjë me komisionin që ai kryeson, sepse siç thotë qëllimi është t’i ruaj këto objekte kulturore, ndërsa me harmonizim duhet të merret drejtësia.
Ankesa të mëdha në lidhje me këtë harmonizim të ligjeve, e në veçanti nenin 55, kishte dhe Driton Çaushi nga PSD.

Sipas tij, gjobat për ata që ndryshojnë destinimin e objekteve kulturore duhet të kthehen siç ishte në të kaluarën deri në 100 mijë euro.
Çaushi shprehet se një gjobë e tillë nuk do t’i parandaloj rastet kur do të ndodhë që një objekt gjatë aktivitetit të tij të ndryshojë veprimtarinë e tij.
Kundër këtij harmonizimi u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ku sipas saj gjoba është shumë e vogël , sepse i jep mundësi secilit biznes, pasi nuk e kanë problem pagimin e kësaj gjobe të vogël.

Kurse, Teuta Haxhiu, nga AAK tha se duhet pasur kujdese tek harmonizimi me Ligjin për Kundërvajtje, ku sipas saj ka informata se edhe ky ligj është në proces duke u punuar dhe duhet caktuar niveli i gjobave.
Ndërsa, anëtarja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj tha se duhet votuar ky harmonizim ashtu si është sjellë nga përfaqësuesit e Ministrisë.

Betim Jahaj nga Ministria e Kulturës tha se propozimi ka për qëllim që ky ligj të bëjë harmonizimin e dispozitave që paralajmërojnë gjobat për kundërvajtje. Sipas tij nuk ka dispozita të reja për gjobat, por vetëm për vlerat. Ndërsa theksoi se ligji për kundërvajtje nuk i lejon më shumë për rritjen e gjobave.

Mbledhja e këtij Komisioni pritet që të vazhdojë javën e ardhsme pikërisht për të diskutuar për këto çështje./KosovaPress/







