Nuk ka rrugë drejt fitores së qëndrueshme ruse

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times

“Mos e fshini Rusinë” – ishte paralajmërimi mërmëritës i një diplomati evropian, me përvojë të gjatë në Moskë. Është çështje me vend. Ka shkuar keq pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putini. Por, Rusia mbetet një vend i madh, me burime të shumta dhe me një qeveri të pamëshirshme, brutale.

Shërbimet e inteligjencës të Ukrainës mendojnë se përpjekjet e mëtejshme të rekrutimit mund t’ia mundësojnë Rusisë të vendosë një ushtri prej dy milionëve – për një ofensivë të ripërtërirë, më vonë gjatë këtij viti. Kohët e fundit, presidenti Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se Moska së shpejti mund të bëjë përpjekjen e re për ta marrë Kievin.

Por, edhe një përparim në fushën e betejës nuk mund t’ia japë Rusisë një fitore të qëndrueshme. Paramendoni që forcat e Putinit arritën një lloj mrekullie të rrezikshme, se e mundën Ukrainën dhe se e rrëzuan Qeverinë Zelenskyy. Po pastaj?

Realiteti është se një Rusi e plagosur dhe e izoluar më pas, do të mbërthehej në një luftë guerile dhjetëvjeçare që do ta bënte Afganistanin të duket si një piknik. Forcat okupuese ose qeveritë kolaboracioniste në Kiev do të ishin nën sulm të vazhdueshëm. “Fitorja” do ta mbyllte Rusinë në një fatkeqësi afatgjate.

Putini dhe aleatët e tij vazhdojnë të ngushëllohen nga historia. Rusia pësoi disfata të tmerrshme nga duart e Napoleonit dhe të Hitlerit – por, në fund fitoi. Mirëpo, ato luftëra ishin mbrojtëse. Duke ditur se nuk kishin ku të tërhiqeshin, rusët luftuan deri në fund. Këtë herë janë ukrainasit ata që po mbrojnë atdheun e vet.

Në luftërat e mëparshme të mëdha, Rusia ishte gjithashtu pjesë e një koalicioni më të madh evropian. Por, tani, siç vërejti Dmitri Trenin, një strateg pro-Kremlinit në një artikull të kohëve të fundit: “Për herë të parë në historinë ruse, Rusia nuk ka asnjë aleat në Perëndim”. Në fakt, koalicioni anti-rus shtrihet shumë përtej Evropës. Siç shton me zymtësi Trenini: “Shkalla e kohezionit midis vendeve anglishtfolëse, Evropës dhe aleatëve aziatikë rreth Shteteve të Bashkuara, ka arritur nivelet që nuk ishin më parë”.

Në këtë situatë të re, Rusia ka mbetur duke kërkuar miq në Azi dhe në Afrikë. Kremlini ngushëllohet pak me faktin se vendet kryesore të “jugut global” – si Kina, India, Afrika e Jugut dhe Indonezia – nuk janë bashkuar në përpjekjet e sanksioneve ndërkombëtare që cak kanë Rusinë. Por, me përjashtim të Iranit, këto vende nuk i kanë ofruar Rusisë mbështetje ushtarake për ta përballuar armatimin perëndimor që po derdhet në Ukrainë.

Mbështetja te jugu global përfshin një riorientim të ekonomisë ruse, e cila në 30 vjetët e fundit kryesisht është ndërtuar nga eksportet e energjisë në Evropë. Rusia tani gjithashtu është me rrezik e varur nga Kina.

Si e futi Putini vendin e vet në këtë rrëmujë? Rrënjët e problemit janë dështimi i tij për të pranuar humbjen e statusit të fuqisë së madhe, diçka me të cilën ishin përballur tashmë shtetet tjera evropiane. (Disa mund të thonë se Brexit-i tregoi se Britania nuk është ende ku duhet. Por, siç po ecin aktet e vetëdëmtimit, kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që Putini ia ka bërë Rusisë. Ekuivalenti katastrofik do të ishte pushtimi britanik i Irlandës.)

Rendi evropian të cilit Putini e shikon me nostalgji, u ndërtua rreth rivalitetit të fuqive të mëdha. Në pamundësi për ta kuptuar sistemin e ri – të bazuar në bashkëpunimin midis shteteve, nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s, Putini përfundoi duke e izoluar Rusinë nga gjithë kontinenti evropian. Siç thotë Angela Stent nga Universiteti Xhorxhtaun, “Putini e ka mbyllur dritaren drejt Evropës, atë që u hap nga Pjetri i Madh” në vitet 1700.

Nëse Putini do të ishte i gatshëm të pranonte se Rusia ishte gjithmonë nën nivelin e superfuqisë, do të kishte mundësi që shteti rus të luante rolin e një fuqie të mesme balancuese. Në vend të kësaj, Putini e teproi në Ukrainë. Pasoja ironike është se Rusia ka të ngjarë të dalë nga kjo luftë edhe më e pakësuar si fuqi globale.

Situata e dëshpëruar e Rusisë ka çuar në një nihilizëm të caktuar mes disave nga elita e vendit, me figurat televizive që flasin dhe që zëshëm fantazojnë për luftën bërthamore dhe për Armagedonin. Strategët rusë që japin argumente për të luftuar gjithnjë e më shumë, nuk e bëjnë këtë sepse shohin një perspektivë realiste të fitores, por sepse humbja është shumë e vështirë për t’u menduar. Në artikullin e tij të zymtë, Trenini, një ish-kolonel i inteligjencës ushtarake ruse dhe më pas drejtor i Qendrës Karnegi në Moskë – tashmë të mbyllur – pohon se “teksa ekziston një rrugë teorike për t’u dorëzuar” për Rusinë, ky opsion është i papranueshëm, sepse do të sillte “katastrofë kombëtare, kaos të mundshëm dhe humbje të pakushtëzuar të sovranitetit”.

Frika nga ky rezultat e bën Treninin të arrijë në përfundimin se Rusia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të luftojë si një “vend luftarak, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet”, edhe pse kjo do të kërkojë “sakrifica të mëdha” për “shumë vite”. Ndjekja e kësaj rruge të përgjakshme, thekson Trenin, do të kërkojë “patriotizmin e pakushtëzuar të elitës”.

Por, ky është një përkufizim shumë i pazakontë i patriotizmit. Cili rus patriot do të donte të vazhdonte t’i dërgojë bashkatdhetarët e vet në vdekje, në një luftë brutale agresioni që po e bën vendin më të varfër, më të izoluar, më diktatorial dhe më të sharë në mbarë botën?

Patriotët e vërtetë rusë janë ata – shumë prej tyre në burg ose në mërgim – që kanë vendosur ta ndalojnë Putinin dhe luftën e tij. Vetëm kur kjo të ndodhë, Rusia do të ketë një shans për ta rindërtuar statusin e vet moral, ekonomik dhe ndërkombëtar.

Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com