Vjosa Osmani

“Nuk është ndalesë, është procedurë”: Si ia përmbysi Osmani Kurtit ‘përdredhjen’ e letrës së Thaçit për FSK-në në veri

Është një refren aspak i këndshëm që e kemi dëgjuar shumë herë nga Lëvizja e kthyer në parti Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, sa herë që bie fjala te “pamundësia” për të dërguar Forcën e Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të populluar me shumicë serbe.

Në raste të këtilla, Kurti dhe një vagon enorm ndjekësish të tij nxjerrin një “gogol” që u qëndron pezull kaherë ndërmend për t’ia faturuar të gjithë këtë “pamundësi”: ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një pajtim të vitit 2013 që operimi i FSK-së në veri të bëhet në konsultim dhe miratim paraprak me forcën paqembajtëse të NATO-s.

Ka prej akterëve të Vetëvendosjes që hedhin vrer e mllef ndaj ish-Presidentit Thaçi, se “po të mos ishte ajo letër, veriu do të harrohej si problem” sepse “FSK do të ishte atje”. Këto, sipas mendjes – më së buti thënë, të pasinqertë – të deputetit Armend Muja.

Shefi i këtij të fundit, s’lë pothuajse ngjarje partiake pa e rikujtuar atë letër dhe duke e bërë Thaçin përgjegjës për këtë “pamundësi” operimi në veri.

“Katastrofë është ajo letër. Unë jam i kushtëzuar në raportet me NATO-n për shkak të qasaj letre. Prandaj, para se me u kualifiku me na bë këtë kritikë e me kqyr me na marrë në pyetje trego a është gabim apo është në rregull qajo letër. Sepse, kufirin nuk ta ruan, e nuk ta mbron policia si ushtri”, thoshte së fundi Kurti nga Kuvendi i Kosovës.

“Trego a është gabim a në rregull qajo letër, kufirin nuk ta mbron policia si ushtria. Mos të ishte ajo letër, ne e kishim pas FSK-në në veri, nuk e kemi, por na duhet me këto vegla e mjete ta bëjmë maksimumin”, shtonte tutje Kurti duke iu drejtuar deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

Megjithëkëtë, këtij tregimi ia dha një përmbysje – për habinë e shumëkujt – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila njëherit është edhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Nuk është ndalim për të shkuar në veri, thjesht është procedurë”, tha Vjosa Osmani javë më parë në Rtv21 duke folur për këtë marrëveshje të 2013; kësisoji duke përbërë një përgënjeshtrim të narracionit të etabluar për gjoja “vetëndalimin” e çuarjes së FSK-së në veri.

“Ajo marrëveshje është nënshkruar duke supozuar kohë paqeje, duke supozuar që nuk ka ndonjë sulm nga ana e Serbisë”, tha Osmani.

Pyetur se pse nuk është dërguar FSK në rastin e sulmit të Banjskës më 24 shtator të 2023’ës në Zveçan, Osmani tha se “nuk ka pasur nevojë” për këtë gjë dhe jo për shkak të “pamundësisë”.

“Natyrisht që Marrëveshja është nënshkruar duke supozuar kohë paqeje e jo konflikt të armatosur për çka FSK ka mandat dhe askush nuk mund t’ia mohojë”, shtoi Osmani.

“Unë jam e bindur që nuk do të vijë deri te një pikë e tillë”, tha Osmani referuar nevojës së dërgimit të FSK-së në veri, ngase, siç tha ajo, është Policia e Kosovës dhe KFOR-i që ruajnë kufijtë në veri.

Deri më sot, tha ajo, “nuk ka pasur nevojë për kalimin e FSK-së në ndonjë angazhim në veri”.

“T’ju them sinqerisht FSK-ja e ka respektuar në tërësi këtë marrëveshje, sepse nuk ka pasur nevojë të diskutohet për kalimin e FSK-së apo për ndonjë angazhim në veri deri tani. Megjithatë ajo marrëveshje është nënshkruar duke supozuar kohë paqeje, duke supozuar që nuk ka ndonjë sulm nga ana e Serbisë”.

“Ju e dini që ekziston një Marrëveshje para shumë vitesh e nënshkruar nga Kryeministri i atëhershëm, zoti Hashim Thaçi me NATO-n në mënyrë që, sipas atij dokumenti, që FSK-ja para se të shkojë në veri të marrë leje nga NATO. Nuk është ndalim për të shkuar thjesht është procedurë që kërkohet një konsultim dhe miratim nga ana e NATO-s. Ne e kemi diskutuar shpeshherë këtë çështje me Sekretarin e Përgjitshëm të NATO-s dhe me komandantët e ndryshëm të KFOR-it”, ka thënë Osmani.

VIDEO BONUS: Vazhdon shtrirja e sovranitetit të Kosovës në veri