“Nuk është koha për politikë, shpallni gjendje të jashtëzakonshme”

Meliza Haradinaj, ish-këshilltarja e ish-kreut të qeverisë Ramush Haradinaj, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti.

Ajo ka thënë se derisa vendi po përballet me gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, Kurti bënte politikë me LDK-në për taksnë 100 %.

Ky është postimi i plotë i saj:

Sot në mëngjesin e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, edhepse ende zyrtarisht të pa-shpallur, me 5 qytetarë të diagnostifikuar me COVID19, me kapacitete tejet të kufizuara mjekësore, me biznese e shkolla të mbyllura, me qytetarë në vetëkarantinë, me plot tjerë që refuzojnë mbylljen në shtëpi, e me kushedi sa persona të ardhur nga Italia e vendet tjera të prekura ende të patestuar, që përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin publik të Kosovës,

Kryeministri i vendit zgjedhë të bëjë politikë me LDK-në rreth taksës 100%. Në anën tjetër, zv-Kryeministri i parë del me postime poaq të papërgjegjshme, duke bërë politikë në kohëra urgjente, e duke i bërë konkurrencë paralele Kryeministrit për vendime tashmë joprioritare. Kaq për sensin e prioriteteve të kësaj qeverie dhe të përgjegjësisë së tyre publike!!!!!!

SHPALLJA E GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME

Paqartësia e krijuar me konferenca për shtyp, e me vendime të pjesërishme, pa Plan Gjithëpërfshirës Veprimi, do të shtojë dilemat e qytetarëve dhe do të thellojë amullinë.

Në këtë moment, dëgjova që ka qytetarë nga Klina, Vitia, e Malisheva, që e konsiderojnë vendimin e karantinimit të qytetit të tyre si të padrejtë, përderisa qytetarët e qyteteve tjera nuk i kanë të cenuara të drejtat e tyre kushtetuese (si liria e lëvizjes, te drejtat gjyqësore, ekonomike, e politike, etj.). Në një reportazh televiziv, qytetari i Malishevës ishte “i mllefosur pse ky virus me qarkullu veç brenda Malishevës!!!!”

Përderisa kemi ende persona që kanë hyrë në Kosovë së fundmi nga shtetet e prekura, të cilët nuk janë lokalizuar e identifikuar, e të cilët pa vetëdije sot rrezikojnë jetën e familjes së tyre, lagjen, qytetin, dhe shtetin, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme në nivel vendi është domosdoshmëri! Ajo do të obligojë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të mos ndihen të diskriminuar për shkak të vendbanimit. Do t’i bëjë qytetarët hisedarë të parandalimit, e jo burim të rrezikut të shpërndarjes masive së epidemisë. Vetëm shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme në nivel vendi, do të arsyetojë kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, që garantohen me Kushtetutë.

KRYEMINISTRI DUHET URGJENTISHT TË KËRKOJË NGA PRESIDENTI SHPALLJEN E GJENDJES SË JASHTËZAKONSHME NË KOSOVË SIPAS NENIT 131 TË KUSHTETUTËS, dhe të mbledhë me urgjencë Këshillin e Sigurisë, ku bashkë me agjenci e institucione adekuate, me ekspertë, ekonomistë, shkencëtarë, e mjek, të hartojnë planin e veprimit dhe masat graduale të luftës së Kosovës me pandeminë. Gjendja e Jashtëzakonshme fillimisht të shpallet për 2 javët e ardhshme, e pastaj të veprohet sipas rrethanave. Java që po vjen gjithkund në botë, po pritet të jetë kritike!

Duke qenë të vetëdijshëm për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, për neglizhencën 2 dekadëshe të klasës politike, dhe për kapacitetet pothuajse inekzistence të administrimit të masave post-pandemike, duhet të veprojmë SOT me mjetet që kemi ende në dispozicion për të PARANDALUAR SHPËRNDARJEN E VIRUSIT DHE KOLAPSIN në shtetin tonë sa s’është bërë vonë.

• Identifikoni, lokalizoni, dhe karantinoni personat e ardhur nga shtetet e prekura menjëherë. Ndihmoni familjet e tyre.
• Furnizoni URGJENTISHT punëtorët shëndetësorë dhe ata të sigurisë me materiale mbrojtëse adekuate për të mbrojtur shëndetin e tyre. Ata i kemi të vetmën shpresë sot.
• Vendosni futjen e të gjitha qyteteve në karantinë. Aplikoni gjoba për qytetarët dhe bizneset që nuk respektojnë vendimin e qeverisë.
• Hartoni procedura të sakta e të qarta për operatorët ekonomik ushqimor dhe medicinal për t’ua lehtësuar furnizimin me artikuj bazik për QKUK-në dhe qytetarët.
• Hartoni masa fiskale lehtësuese për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilët do të preken më së shumti nga mbyllja e përkohshme.
• Vizitoni komunat, dhe njoftohuni nga afër me gjendjen e QKMF-ve. Krijoni kushte të trajtimit atje, për të evituar kolapsin në Prishtinë.
• Informoni saktë për vendimet e qeverisë. Shumë biznese e kanë ende të paqartë a guxojnë të punojnë nesër apo jo!

Dhe masa tjera që ekspertët adekuat udhëzojnë…

P.S. Kryeministrit do t’ia pranojmë edhe kërkimfaljen e sotme për pamundësinë e mos-heqjes së taksës 100%, atëherë kur ai e konfirmon se kjo pamundësi tanimë është vendim përfundimtar! Por, tani kemi prioritet shëndetin publik.