Prishtinë

Nuk e la të hynte në club, sigurimi sulmohet me kallashnikov në Prishtinë

Në orët e mëngjesit të sotëm, ka ndodhur një tentim vrasje te “Përroi i Njelmët”, në Prishtinë, ku një person është gjuajtur me kallashnikov derisa ishte në veturën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se personi që u sulmua është K.P. (emër i njohur për redaksinë), sigurim i diskotekës “Zone Club”, i cili ka pësuar plagë për shkak të sulmit me armë.

Siç mëson Sinjali, viktima dyshon se u gjuajt me armë nga një veturë ku dyshon se ishte një person të cilin s’e kishte lejuar të hyjë në diskotekë gjatë ditës së djeshme.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me ç’rast viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim, ndërkohë që zyrtarët policorë kanë gjetur disa gëzhoja të kallashnikovit.

Përveç lëndimeve që ka pësuar viktima, edhe në automjetin e tij janë shkaktuar dëme nga sulmi me armë.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti “tentim vrasje” dhe të nisin hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.