Një situatë e pazakontë dhe e papranueshme ka ndodhur mbrëmjen e kaluar gjatë spektaklit “Big Brother VIP”, duke lënë publikun të habitur dhe të shqetësuar.

Menjëherë pas eliminimit të tij nga gara, Jozefin Marku – i njohur për temperamentin e tij shpërthyes – ka sulmuar fizikisht një tjetër banor, reperin Besart Klemendi, i njohur ndryshe me emrin e artit Gjesti.

Incidenti ndodhi brenda ambienteve të spektaklit, pikërisht në momentin kur Jozi po largohej nga shtëpia. Siç shihet edhe në pamjet filmike, ai i afrohet Gjestit dhe e godet me shuplakë në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë, përpara syve të kamerave dhe publikut.

Gjesti ka përfunduar në tokë dhe për disa çaste situata ishte kaotike. Fatmirësisht, më vonë u konfirmua se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Pas aktit të dhunës, forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në ambientet e spektaklit, ku kanë ndaluar Jozefin Markun dhe e kanë shoqëruar me pranga në Komisariatin nr. 6 të Tiranës. Sipas burimeve për Report TV, gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Jozi ka deklaruar: “Më ka provokuar gjatë gjithë lojës, nga gjaknxehtësia e qëllova. Nuk e durova më!”