Video

“Nuk besoja që Rita do më fliste shqip” – rrëfehet Sihana Haxhnikaj, kosovarja që u bë virale me pjesëmarrjen në “The Voice Australia”

Bukuroshja nga Kosova, e lindur dhe rritur në Australi, Sihana Haxhnikaj, tërhoqi vëmendje të madhe gjatë këtyre ditëve në rrjete sociale e mediat shqiptare.

17 vjeçarja është bërë pjesë e spektaklit “The Voice Australia”, duke sjellë hitin e Miley Cyrus, “Nothing Breaks Like A Heart”, ndërkohë që në juri ndodhet një tjetër artiste shqiptare me renome botërore, Rita Ora.

Krijuesja e hitit “Don’t Think Twice” me të dëgjuar emrin dhe mbiemrin e artistes së re ndaloi në një moment, duke thënë se i duket i njohur, sikur ta ketë dëgjuar më parë.

Foto: Screenshot/Instagram

Ylli nga Peja më pas e pyeti se nga vjen dhe në momentin kur i tregoi se është nga Kosova filloi të qeshte dhe duke i folur në shqip: “O zemër si je”.

Kjo është bërë virale për atë se si reagoi Ora dhe për mënyrën se si iu afrua konkurrentes së këtij kompeticioni – meqë kanë diçka të përbashkët – prejardhjen.

Fituesja e një sërë çmimeve u ngrit në këmbë dhe shkoi të takojë Sihanën bashkë me familjen e saj, ndërsa iu drejtua anëtarëve të tjerë të jurisë: “Atje nga jam unë nuk ka shumë, prandaj ne jemi të gjithë si familje disi, kur e shoh dikë i thua menjëherë përshëndetje kushërirë, andaj edhe kjo është si kushërirë për mua”.

Në lidhje me këtë, Sihana në një bisedë me Telegrafin thotë se në ato momente ndihej krenare që Rita e kuptoi se ishte shqiptare dhe se më pas u vendos edhe në ekip të saj.

“Unë nuk kam besuar që Rita do të më flas shqip për arsye se jetojmë në Australi”, u shpreh Haxhnikaj për Telegrafin.

Ylli në ngritje thekson se Orën e ka pasur gjithmonë në mendje për ta përzgjedhur dhe për të punuar me të.

Për Sihanën nga ana tjetër kjo është hera e parë si pjesë e “The Voice Australia”, pasi është vetëm 17 vjeçe dhe se nuk ka të drejtë për më shumë.

“Unë jam Sihana Haxhnikaj jam 17 vjeçare, jam e lindur dhe e rritur në Australi. Familja ime ka ardhur në vitin 1999 në Australi si refugjatë”, tha mes tjerash ajo duke treguar historinë e një pjese të madhe të shqiptarëve që janë zhvendosur nëpër vende të ndryshme nëpër botë.

Sihana zbuloi se po vijon mësimet në shkollë të mesme dhe se dëshiron të punojë sa më shumë në projekte të reja muzikore.

“Unë jam në klasë të 11-të në shkollë të mesme, studioj për muzikë me profesor të muzikës, tenor Agim Hushin nga Shqipëria që jeton në Sydney. Planet e mia janë të mësoj muzikë dhe të qes këngë që t’i ndjek ëndrrat e mia”, përfundon biseda e saj për Telegrafin.

Foto: Screenshot/YouTube

Rasti i Sihanës është i ngjashëm me atë të Rita Orës, Dua Lipës, Bebe Rexhës e Ava Max.

Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar që të korrin suksese të mëdha e të jenë kryefjalë në tregun muzikor ndërkombëtar.