“Nuk besoj që është nipi im”, reagimi i Besnik Bislimit sot në mbledhjen e Qeverisë

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, në mbledhjen e qeverisë ka folur për konkursin për anëtarë të Bordit të ZRRE-së(Zyra e Rregullatorit për Energji), teksa ka përmendur edhe një person me emrin Bislim Bislimi si anëtar të komisionit për shqyrtimin e ankesave. Pas kësaj ka reaguar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që po e udhëheqë mbledhjen e qeverisë duke thënë se nuk beson se i njëjti është nip i tij.

“Kam nxjerrë vendim për themelimin e komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave për këto procedura për të dy konkurset që përbëhen nga zonja Fahrije Qorraj kryesuese, zoti Bislim Bislimi anëtar dhe zonja Lule Isufi anëtare”, ka deklaruar Rizvanolli

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka thënë ministres Rizvanolli se iu duk që ka përmendur një anëtar me emrin e njëjtë me të, Besnik Bislimi.

“Gjatë elaborimit tuaj te komisioni i ankesave më duket se përmendet një anëtar me emrin Besnik Bislimi”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.

Pas kësaj ministrja e Ekonomisë ka thënë bëhet fjalë për Bislim Bislimin.

“Jo, është Bislim Bislimi”, ka thënë ajo.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk e njeh se nuk beson se është nip i tij duke shkaktuar të qeshura në mbledhjen e qeverisë.

“Nuk e njoh dhe besoj se nuk është as nip i imi”, ka thënë Bislimi.