Norvegjia nis lehtësimin e kufizimeve kundër COVID-19

Norvegjia ka filluar të lehtësojë kufizimet e saj antiCOVID-19, përfshirë heqjen e ndalimit të shitjes së alkoolit që u vendos gjatë Pashkëve, njoftoi sot kryeministrja Erna Solberg.

“Falë faktit që banorët kanë qenë të kujdesshëm dhe kanë kontribuar që infeksionet të mos rriten gjatë Pashkëve, ne mund të hedhim hapin e parë drejt planit të hapjes të premten”, tha Solberg.

“Restorantet dhe vendet e tjera mund të fillojnë t’u shesin alkool klientëve, të cilët gjithashtu mund të porosisin ushqim deri në orën 22:00, duke filluar nga e premtja”, shtoi ajo.

Në ngjarjet sportive dhe kulturore për fëmijë dhe të rinj mund të marrin pjesë deri në 50 persona, 100 persona nëse ka vend të caktuar ose edhe 600 nëse ngjarja po zhvillohet jashtë, raporton ATSh.

Sipas kreut të shtetit, edhe pse rregullat në të gjithë vendin po lehtësohen, mund të ketë ende rregulla më të rrepta në nivelin lokal ose rajonal, sipas ngarkesës së rasteve të infektimit me COVID-19.

Kohët e fundit, Norvegjia përjetoi një rritje të rasteve të reja, duke nxitur rregulla më të rrepta.