Norvegjia e vazhdon pezullimin e vaksinës që do ta marrë Kosova

Norvegjia ka vendosur që së paku edhe për tri javë ta shtyjë marrjen e vendimit për vazhdimin ose jo të përdorimit të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” për Covid-19, njoftoi Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik.

Autoritetet norvegjeze më 11 mars e pezulluan përdorimin e kësaj vaksine për shkak se një numër i vogël i personave të vaksinuar u hospitalizua pas paraqitjes së mpiksjes së gjakut, gjakderdhjes dhe numrit të vogël të trombociteve. Disa prej tyre vdiqën.

“Ne ende kemi nevojë për më shumë informata dhe më shumë dije për të arritur në një përfundim. Tani kemi më shumë sqarime pse pacientët i patën këto simptoma, por ende nuk dimë nëse kjo është shkaktuar nga vaksina dhe nëse është shkaktuar, pse”, deklaroi Sara Viksmoen Watle, zyrtare e lartë e institutit norvegjez.

Norvegjia është në mesin e disa shteteve evropiane që disa ditë më parë e pezulloi përdorimin e kësaj vaksine, ndonëse Gjermania, Italia, Franca dhe disa vende tjera e vazhduan përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s pasi Agjencia Evropiane e Ilaçeve e vlerësoi atë të sigurt dhe efektive.

Vetë prodhuesi i vaksinës ka deklaruar se sipas të dhënave të sigurisë nga më shumë se 17 milionë persona të vaksinuar në Britani dhe në Bashkimin Evropian nuk kanë shfaqur dëshmi se vaksina e rrit rrezikun për mpiksje të gjakut, shkruan Reuters