KFOR

“Normalizimi Kosovë-Serbi kyç për stabilitetin në rajon – prania e NATO-s ende e nevojshme”

Organizata joqeveritare “International Crisis Group”, së fundmi ka dalë me një draft-raport për situatën në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovës.

Ky raport ku flet edhe për sulmin në Banjskë, është cituar dje në komisionin për mbrojtje dhe siguri në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Aty u tha se në raportin e ICG-së është përmendur se KFOR ka negociuar për tërheqjen e  paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport.

Përveq kësaj raporti ka dalë edhe me disa konkluzione dhe rekomandime për vendet e rajonit, përfshirë  Kosovën.

Aty thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është faktori më i rëndësishëm i paqëndrueshmërisë rajonale.

“Akterët kryesorë ndërkombëtarë në rajon po reagojnë ndaj zhvillimit të situatës. NATO ka përshtatur strukturën e saj të forcave në Kosovë – ajo ka ndryshuar vendosjen e tyre dhe ka shtuar afërsisht 800 trupa shtesë. BE-ja ka përshtatur numrat e saj në terren gjithashtu. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar përpjekjet e tyre për të sjellë Beogradin dhe Prishtinën në tryezë për një marrëveshje të vërtetë që ata mund të nënshkruajnë dhe të zbatojnë”, thuhet në raportin e ICG-së.

Tutje ky raport si përfundim dhe rekomandim ka nxjerrë që duhet vazhduar presioni mbi Kosovën dhe Serbinë për një marrëveshje përfundimtare.

“Para së gjithash, Aleatët e NATO-s, BE-ja dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion të duhur mbi Beogradin dhe Prishtinën për të zhbllokuar dialogun dhe për të gjetur një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, thuhet në raport.

ICG ka vlerësuar se prania e trupave të NATO-s në Kosovë është ende e nevojshme, duke pasur parasysh evolucionin e ngjarjeve në terren dhe në rajon.

“Vëmendja e Aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – më shumë forca, të pozicionuara siç duhet atje janë prioritet”, thuhet mes tjerash në raportin e ICG-së.